Search

Rritje dhjetëfish e çmimeve të energjisë elektrike në Gjermani dhe Francë

30 Gusht, 2022


Çmimet e energjisë elektrike në Gjermani dhe Francë u rritën më shumë se dhjetëfish.

Sipas Euronews, çmimi i energjisë elektrike për kontratën e vitit 2023 në Gjermani dhe Francë arriti përkatësisht në 850 euro dhe mbi 1000 euro për megavat orë, duke u rritur më shumë se dhjetë herë në të dy vendet në krahasim me vitin e kaluar. Çmimi i energjisë elektrike vitin e kaluar në Gjermani dhe Francë ishte rreth 85 euro për megavat orë.

Ky rekord i ri në çmimet e energjisë elektrike për vitin e ardhshëm është shënuar në Gjermani dhe Francë pas rritjes së çmimit të gazit në tregjet botërore. Çmimet e energjisë në të gjithë Evropën janë rritur në mënyrë të paprecedentë pas reduktimit të furnizimit me gaz rus në këto vende.

Një pjesë e energjisë elektrike të Evropës prodhohet nga termocentralet me gaz. Sidoqoftë, ministri francez i Ekonomisë, Bruno Lemaire, siguroi të shtunën 27 gusht, se çmimet e energjisë elektrike në vitin 2023 në vendin e tij do të kontrollohen.

Ai po ashtu tha se një ndihmë financiare është dedikuar për familjet e varfra që kanë probleme me pagesën e rrymës dhe gazit. Ministri i Ekonomisë së Francës theksoi edhe lehtësimin e aksesit në fondin prej 3 miliardë eurosh për kompanitë që kanë probleme me pagesën e faturave të energjisë elektrike.