Search

Rreth 30 mijë qytetarë deri më tani kanë përditësuar të dhënat në KESCO

August 02, 2024


Kompania e Furnizimit me Energji Elektrike, KESCO, ka njoftuar se fushata e përditësimit të të dhënave të konsumatorëve po bën që të paktën 1000 qytetarë në ditë të përditësojnë të dhënat.

Kjo sipas KESCO-s, do të avancojë sistemin e shërbimit, ndonëse qytetarët thonë se kjo nuk u krijon ndonjë lehtësi.

Rreth 30 mijë qytetarë deri më tani kanë përditësuar të dhënat e tyre në rrjetin e shërbimit të energjisë elektrike, pasi një muaj më parë Kompania e Furnizimit me Energji Elektrike, KESCO, nisi një fushatë për përditësimin e të dhënave të konsumatorëve. Megjithatë qytetarët thonë se përditësimi i të dhënave vetëm sa ngatërron konsumatorët.

Ibrahimi nga Prishtina, këtë vendim për përditësimin e të dhënave, e quan të tepruar dhe ngarkesë për konsumatorë.

“Jo si kam përditësuar, kam harruar por edhe po më duket shumë e tepërt t’i deklaroj të dhënat përsëri, për këtë arsye në atë drejtim nuk kam punuar”, tha ai.

Sipas zyrtarëve të KESCO-s, procesi po shkon me ritme të shpejta dhe konsumatorët po e përmbushin një obligim ligjor. Tashmë për të kryer këtë proces, janë dy qendra të KESCO-s që kanë zgjatur orarin e punës deri në orën 18:00, thotë për Radio Kosovën zëdhënësja e KESCO-s, Margarita Rashiti.

“Me ligj specifikohet se nga momenti që ne e informojnë konsumatorin që brenda dy javëve duhet ta bëjë përditësimin e të dhënave dhe nëse nuk e bënë këtë, atëherë do të shkyçen nga rrjeti elektrik””, tha Margarita Rashiti nga KESCO.

Rashiti, ka folur edhe për furnizimin e energjisë elektrike, duke thënë se është rritur konsumi i energjisë elektrike për 13 për qind. “Dhe deri më tani kemi importuar në vlerë prej 7.1 milionë euro apo mbi 14 mijë megavat orë””, tha ajo.

Mesatarisht bëhen deri në 1 mijë përditësime në ditë dhe qytetarët duhet t’i përditësojnë të dhënat në dy qendrat e KESCO-s nga ora 08:00 deri në ora 18:00.