Search

Rizvanolli mban konferencë për shtyp, adreson gazin në tërësi

17 Shtator, 2021


Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka mbajtur një konferencë për shtyp ku ka adresuar iniciativën e shumë përfolur të ‘gazit amerikan’ dhe të investimit në infrastrukturën e gazit në Kosovë.

Rizvanolli përfundoj heshtjen e ministrisë ndaj kësaj çështje duke sqaruar se vendi duhet të ketë kujdes të veçantë në hapat e ardhshëm në sektorin e energjisë, pasi vendime të tilla nuk janë marrë në 40 vitetet e fundit. Ajo siguroi se janë duke u bërë të gjithat analizat dhe vlerësimet për të pasur mjaftueshëm informata deri në arritjen e vendimeve përfundimtare.

Vendimet të mëdha në energji nuk janë marrë 40 vitetet e fundit

Në konferencën për media, Rizvanolli nënvizoi se vendimmarrja nga ana e qeverisë aktuale në lidhje me këtë sektor është duke u bërë me kujdes të madh, dhe se cdo vendim është duke u bazuar në fakte dhe të dhëna.

Pasi sqaroi se sektorin e energjisë në Kosovë e presin sfida të mëdha, ndërsa vendimet për këto lloj sfidash në sektorin e energjisë nuk janë marrë 40 vitet e fundit.

“Në këtë sektor ka paparashikueshmëri, për të gjitha vendet jo vetëm për Kosovën. Për Kosovën sfidat janë ende më të mëdha duke marrë parasysh sistemin enegjetik që e kemi, asetet e vjetëruara, e të tjera”, tha ajo.

“Vendimet të tilla në energji nuk janë marrë 40 vitetet e fundit, edhe vendime të tilla nuk do të merren edhe ndoshta 30-40 vitet e ardhshme. Kshtuqë konsiderojmë që tejet e rëndësishme që t’i kemi informatat sa ma të detajuara dhe sa më të sakta, domethonë nuk është se kemi frikë nga marrja e vendimit apo se po i shtyjmë vendimet, është se dëshirojm të marrim vendimet më të mira”, theksoi Rizvanolli.

Në javët në vijim fillojnë punët në strategjinë e energjisë

Gjatë konferencën për media, Ministrja Rizvanolli sqaroi se në javët në vijim do të fillojnë punët në strategjinë e energjisë dhe në studimin për opcionet më të përballueshme për furnizim me energji elektrike.

“Ky studim do të informoj pastaj vendimet në strategji sa i përket miksit të burimeve që do të përdoren për të gjeneruar energjinë tonë në të ardhmen”, theksoi Rizvanolli.

Ministrja insistoi se për të bërë analiza të tilla nevojiten vite, e jo vetëm disa muaj.

“Këto janë vendime jo milionshe por miliardëshe, dhe vendime për të cilat duhet të bazohen në studime dhe informata të detajuara”, tha ajo.

Fondet e MCC mbulojnë vetëm pjesërisht projektin e gazit, kemi të bëjmë me një investim disa herë më të madh se kaq

Në lidhje me lajmet e fundit për projektin e ndërlidhjes së Kosovës me gazsjellësin Greqi – Maqedoni e Veriut, Ministrja Rizvanolli sqaroi se përveç që ka pasur shumë interesim nga mediat, në diskursin publik kishte edhe paqartësi dhe keqkuptime për këtë çështje.

Ndërsa sqaroi se diskutimet me Korporatën e Sfidave të Mijëvjecarit (MCC) për projektin e gazit po vazhdojnë, Ministrja Rizvanolli shtoi se këto fonde nuk mbulojnë projektin në tërësi, por vetëm pjesërisht.

Ajo potencoi se në bashkëpunim me Fondet e Mijëvjeçarit (MCC) është bërë një studim fizibiliteti dhe janë ndarë 200 milionë euro për ndërtim të një pjese të infrastrukturës.

“Arsyja pse kemi qenë në bashkëpunim të ngushtë me MCC është sepse MCC ka filluar një studim para-fizibiliteti dhe pastaj ka filluar punën në studimin e fizibilitetit gjatë këtij viti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit në Kosovë, dhe ka alokuar një grant prej deri në 200 milion dollar. Do të thotë nuk janë domosdoshmërisht 200 milion. Të cilat do të mund të shfrytëzohen për ndërtimin e pjesshëm të kësaj infrastrukture”, ka thënë Rizvanolli.

Në këtë mënyrë, ajo sqaroi se as MCC e as ndonjë organizatë tjetër nuk do të financojë tërë projektin e gazit në Kosovë, ndonëse është raportuar ndryshe.

“MCC apo ndonjë organizat tjetër nuk do të financonte tërë projektin, nganjëherë kjo është diçka që është thënë, kemi të bëjmë me një investim disa herë më të madh se kaq, ndërsa granti i MCC do të mund të përdorej për financimin e një pjese të investimit”, tha ajo.

Rizvanolli theksoi se, sa i përket orientimeve strategjike janë në komunikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me të gjithë partnerët ndërkombëtar , me ambasadën e SHBA-ve, Gjermaninë, zyrën e BE-së.

Ministrja gjithashtu sqaroi se përveç MCC-së, diskutime janë bërë edhe me BERZH.

“Përveç diskutimeve me MCC kemi pasur diskutime edhe me BERZH, e cila është njëkohësisht duke bërë një studim fizibiliteti për ndërtimin e gazsjellësit. Sepse ideja është që një pjesë e gazsjellësit do të mund të financohej me kredi nga BERZH”, është shprehur Rizvanolli.

Nuk bëhet fjalë për ‘gaz amerikan’, por për ndërtimin e infrastrukturës së gazit

Ndërsa është përfolur se gazi është ndër elementet kryesore të diskutimeve ndërmjet Kosovës dhe Greqisë, e që do të ndikonin në njohjen e të parës nga e dyta, ministrja Rizvanolli tha se këto bisedime nuk janë të vërteta.

“Ne nuk kemi kurfar indikacioni që ka një lidhje në mes të zhvillimit të infrastrukturës së gazit dhe njohjes nga Greqia. Kjo është një hipotezë që ka qarkulluar nëpër media, mirëpo, nuk kam ndonjë indikacion që kjo ka bazë”, tha ajo.

Ajo ka thënë se kur flasim për ndërtim të infrastrukturës nuk flasim për gaz të ndonjë shteti, por infrastrukturë që i jep qasje Kosovës përmes Maqedonisë së Veriut në tregun e gazit në Greqi.

“Kohëve të fundit po flitet për gazin amerikan, duhet të qartësohet një gjë, kur flasim për ndërtimin e infrastrukturës, nuk jemi duke folur për gaz amerikan por për ndërtim të infrastrukturës. Në këtë rast opsioni më i studiuar është i ndërtimi të infrastrukturës së gazit i cili do i jepte qasje Kosovës përmes Maqedonisë së Veriut në tregun e gazit natyror në Greqi”, ka thënë Rizvanolli.

Ajo potencoi se, nëse ndërtohet ndonjë termocentral më gaz, operatori do mund ta blinte në treg të lirë gazin.

“Pastaj nëse do ndërtohej një termocentral me gaz, operatori që e operon atë do e blinte në treg të lirë gazin’, ka shtuar Rizvanolli.

Lidhur me ndërtim të infrastrukturës për gazin, ministrja tha se është një opsion që duhet të shqyrtohet.

“Do të thotë nuk jemi duke folur për gaz amerikan ose ndonjë shteti tjetër, jemi duke folur për vendimin për të ndërtuar apo jo infrastrukturë e cila mundëson lëvizjen gazit natyror”, theksoi ajo.

Kërkesa për gaz mesiguri do të rritet, gazi emeton më pak karbon krahasuar me linjitin

Ministrja Rizvanolli sqaroi se sjellja e gazit në Kosovë do të ekspozonte vendin drejt rrezikut të rritjes së çmimit të gazit në nivel global, pasi kërkesa për gaz pritet të rritet në dekadat në vijim.

Sipas ministres, gazi sjellë disa përparësi në lidhje me ndikimet në mjedis, por edhe për fleksibilitetin që do të ofronte për rrjetin elektrike.

“Në njërën anë prej djegies së gazit për të prodhuar energji emetohet më pak karbon se sa prej linjitit që kemi. Mirëpo, gazi do t’i ofronte edhe sistemit tonë energjetik më shumë fleksibilitet. Që do të thotë që mund të ja përshtasësh më lehtë sasinë që e prodhon me kërkesën e konsumatorëve”, theksoi ajo.

E sipas ministres, rritja e fleksibilitetit do të lejonte edhe integrimin e BRE-ve.

“Nga ana tjetër do të mundësonte rritjen e fleksibilitetit në kuptim që do të lejonte integrimin e BRE duke qenë se është paraparë që të prodhet përveç pjesës bazë të konsumit të prodhohet edhe për rezerva, në kuptim që është një burim që mund të lëshohet në funksionim ose të ndalet varësisht prej nevojave varësisht prej sa janë nevojat në bazë të prodhimit të energjisë së ripërtëritshme, e cila e dijmë që nuk është konstante si thëngjilli apo gazi”, sqaroi ajo.

Sjellja e gazit në Kosovë: 40% kosto kapitale apo 600 milion euro vetëm për termocentral dhe gazjellës, dhe 60% kosto operative

Për më tepër, Ministrja Rizvanolli poashtu ndau me publikun edhe kostot e përllogaritura të kësaj nisme.

Sipas përllogaritjeve që posedon Ministria e Ekonomisë, vetëm investimet kapitale që përfshijnë ndërtimin e infrastrukturës për të sjellur dhe për të shpërndarë gazin në Kosovë së bashku me ndërtimin e një termocentrali për gjenerim të energjisë elektrike, ka kosto prej 600 milion euro.

Rizvanolli theksoi se këto përbëjnë vetëm kostot kapitale, që ndryshe përfaqësojnë vetëm 40% të investimeve, ndërsa 60% tjera janë kosto operative.

“Jemi duke folur, dhe varësisht prej cilit model apo cilit opsion, përllogaritjet janë se mund të kushtojë 600 milion ose më shumë, nëse flasim vetëm për gazsjellësin dhe termocentralin. Kostot operative janë diçka tjetër. Sipas disa vlerësimeve 40% është kostoja e shepnzimeve të kapitalit ndërsa 60% është kostoja operative”, tha ajo.

“Në rastin se do të përdorim gazin për prodhim të energjisë elektrike apo për ngrohje, do t’i ekspozoheshim risqeve të rritjes së çmimit të gazit në nivel global”, theksoi ajo.

“Shtetet e zhvilluara janë duke llogaritur në gaz sikur një burim të tranzicionit, po i zëvendësojnë burimet tjera me gaz përderisa të arrijnë të mbështesin vetëm në burime të ripërtëritshme të energjisë”, tha ajo.

“Kjo do të thotë që kërkesa për gaz nuk ka të ngjarë të ulet në vitet dhe dekadat në vijim, përkundrazi ka të ngjarë që të rritet”, tha ajo.