Search

Rizvanolli gjatë Forumit Ekonomik në Davos shpalos planet e Kosovës për energji të pastër dhe të qëndrueshme

January 22, 2025


Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, ku Kosova përfaqësohet me hapësirën e saj dhe një vizion për zhvillimin ekonomik dhe energjinë e qëndrueshme.

Në fjalën e saj, ministrja Rizvanolli theksoi arritjet gjatë mandatit aktual dhe planet ambicioze për transformimin e sektorit energjetik në Kosovë.

“Gjatë mandatit tonë kemi dyfishuar eksportet dhe investimet e tyre. Kemi gjeneruar 33% më shumë të ardhura tatimore, pa rritur tatimet, por duke harmonizuar administratën dhe duke digjitalizuar mbi 100 shërbime administrative”, tha Rizvanolli, transmeton RTK.

Ajo foli edhe për sfidat në sektorin e energjisë, duke theksuar varësinë aktuale nga linjiti dhe nevojën për të kaluar drejt burimeve të ripërtërishme të energjisë.

“Tema e këtij paneli, shfrytëzimi i energjisë së pastër për një të ardhme të qëndrueshme, është një prej fushave ku Kosova ka vizion dhe demonstron ambicie të madhe. Aktualisht, mbi 90% e energjisë elektrike përdoret nga linjiti. Këto resurse, që kanë shtyrë përpara rritjen ekonomike, nuk përputhen më me aspiratat tona për një ambient më të shëndetshëm dhe një planet më të pastër”, deklaroi ajo.

Ministrja Rizvanolli njoftoi për objektivat konkrete të Kosovës në këtë drejtim.

“Synojmë të ulim emetimin e gazrave serë për 30% dhe të rrisim energjinë e ripërtërishme për 25%. Planifikojmë të ndërtojmë 1300MW kapacitete të reja për energji të ripërtërishme, duke përfshirë energjinë diellore,” tha ajo.

Ajo shtoi se tranzicioni energjetik i Kosovës do të vendosë qytetarët në qendër të procesit.

“Kjo nënkupton ruajtjen e përballueshmërisë, mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm dhe ofrimin e qasjes në investime dhe efikasitet energjetik për të gjithë. Asnjë qytetar nuk do të mbetet prapa në këtë proces”, përfundoi Rizvanolli.

Kjo është hera e parë që Kosova përfaqësohet me “Shtëpinë e Kosovës” në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

/Telegrafi