Search

Rizvanolli akuzon Odën Ekonomike se ka inkurajuar bizneset të mos aplokojnë në skemën e fundit mbështetëse – OEK i jep afat Rizvanollit deri më 8 dhjetor të sjellë prova

December 09, 2025


Oda Ekonomike e Kosovës, OEK, ka reaguar ashpër pas deklarimeve të ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila para mediave e ka përmendur OEK-un si “akter politik opozitar”, duke pretenduar se institucioni ka dekurajuar bizneset të aplikojnë për skemat e granteve.

Në një komunikatë për media, OEK ka thënë se këto deklarime janë të pavërteta, të dëmshme dhe të papranueshme, duke theksuar se institucioni për dekada ka qenë partner konstruktiv i të gjitha qeverive, pavarësisht përbërjes së tyre politike.

“Oda Ekonomike e Kosovës në mënyrë të vazhdueshme i ka inkurajuar bizneset të aplikojnë në çdo skemë mbështetëse, përfshirë ato për grante, duke e parë këtë si instrument të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik,” thuhet në reagim.

OEK thekson se ka qenë gjithmonë promotori më aktiv në informimin e ndërmarrjeve vendore për mundësitë financiare, teknike dhe institucionale, dhe se çdo pretendim i kundërt “tenton të njollosë kontributin dhe reputacionin e institucionit”.

Të gjitha informata që duhet të dini rreth skemës së fundit mbështetëse për biznese

Lexo më shumë

Sipas OEK-ut, duket se ndikimi i qëndrueshëm i këtij institucioni në zhvillimin ekonomik të vendit “po i pengon disa akterë”, të cilët – sipas tyre – po zgjedhin diskurs të pavërtetë në mungesë argumentesh.

Institucioni ka kërkuar nga ish-ministrja Rizvanolli që deri më 08 dhjetor 2025 të paraqesë prova të qarta dhe të verifikueshme në lidhje me pretendimet se OEK ka ndikuar te ndonjë kompani për të mos aplikuar në skemat e granteve.

Në të kundërt, OEK paralajmëron hapje të procedurave ligjore për shpifje dhe dëmtim të reputacionit.

Në komunikatë përmendet gjithashtu edhe çështja e futjes së bizneseve në tregun e lirë të energjisë, për të cilën OEK thotë se ka shkaktuar “vështirësi serioze financiare dhe operacionale” për shumë ndërmarrje.

“Oda Ekonomike e Kosovës mbetet e përkushtuar të punojë profesionalisht, në mënyrë të pavarur dhe pa përfshirje politike, duke mbrojtur interesin e bizneseve dhe ekonomisë së vendit,” përfundon reagimi.

/Telegrafi