Rikthehet në operim njësia B2 – Defekti ishte shkaktuar nga rrjedhje në sistemin e kalldajës
November 03, 2025

Njësia B2 e Termocentralit “Kosova B” është rikthyer në operim javën e kaluar, pas disa ditësh ndërprerje për shkak të një defekti teknik të paraqitur në kaldajë.
Sipas Korporatës Energjetike të Kosovës, KEK, ndalja e njësisë kishte ndodhur më 26 tetor 2025, pas evidentimit të rrjedhjeve në sistemin e kaldajës.
Pas krijimit të kushteve për ndërhyrje, ekipet teknike të mirëmbajtjes dhe operimit janë mobilizuar menjëherë dhe kanë punuar pa ndërprerje për sanimin e defekteve.
“Falë angazhimit të jashtëzakonshëm të stafit të Termocentralit ‘Kosova B’, të gjitha sanimet janë përfunduar me sukses dhe njësia B2 është rikthyer në operim dje, rreth orës 12:00. Aktualisht, njësia po operon me kapacitet prej rreth 290 MWh,” ka bërë të ditur KEK-u.
Në njoftim thuhet se ndaljet e tilla janë procese të zakonshme teknike që ndodhin për shkak të rrjedhjeve të ujit në kaldaja, të cilat përmbajnë mbi 500 kilometra gypa.
KEK thekson se këto situata janë të pashmangshme për shkak të kohëzgjatjes së shfrytëzimit të pajisjeve dhe trajtohen rregullisht nga ekipet profesionale.
Po ashtu, korporata ka vlerësuar si të dëmshme “keqinterpretimet dhe keqinformimet” që lidhen me ndaljen e përkohshme të njësive gjeneruese, duke theksuar se defekte të natyrave të ndryshme ndodhin edhe tek operatorët e tjerë energjetikë.
KEK ka sqaruar gjithashtu se këto ndalje nuk kanë asnjë lidhje me projektin e modernizimit të turbinave në Termocentralin “Kosova B”, që konsiderohet si një nga investimet më të rëndësishme të dekadave të fundit.
/Telegrafi