Search

Reagojnë bizneset dhe partitë politike reagojnë ndaj refuzimit nga Gjykata për pezullim të liberalizimit të tregut – Do të shqyrtohen mundësi të tjera ligjore

July 11, 2025


Shoqata e Prodhuesve të Kosovës njofton se Gjykata Themelore në ka refuzuar masën e sigurisë për pezullim të vendimit të ZRRE në rastin e padisë së paraqitur në formë grupore, me arsyetimin se legjislacioni aktual nuk lejon mbrojtjen ligjore në mënyrë kolektive.

Në reagimin e tyre thuhet se kjo ka qenë padia e pare grupore e ushtruar nga Shoqata në emër të gjithë prodhuesve vendor.

Tutje, theksohet se “Gjykata Komerciale ndërkohë ka pranuar dhe është duke trajtuar paditë individuale të paraqitura nga bizneset që janë pjesë e Shoqatës së Prodhuesve dhe biznese të tjera të prekura nga vendimi i ZRrE-së, prandaj si rrjedhojë Shoqata dhe bizneset e prekura do të vazhdojnë me ngritjen e padive individuale, të cilat po pranohen dhe trajtohen nga Gjykata”.

Shoqata e Prodhuesve të Kosovës i ka bërë thirrje ZRrE-së të anulojë vendimin për daljen e dhunshme në tregun e lirë të energjisë, në mënyrë që të mos dëmtohet konkurrenca dhe ekonomia e vendit.

Partia Demokratike e Kosovës poashtu e quan gabim të madh juridik dhe ekonomik aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për refuzimin e kërkesës për vendosjen e masës së sigurisë ndaj liberalizimit të tregut.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala në një prononcim për KosovaPress tha se si parashtrues të kërkesës janë të bindur se ZRRE-ja ka bërë shkelje flagrante të legjislacionit në fuqi, duke shkaktuar dëm të madh ekonomik.

“Ne kemi qenë parashtrues të kërkesës dhe kemi qenë e jemi të bindur që Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka bërë shkelje flagrante të legjislacionit në fuqi, por njëkohësisht edhe dëm të madh ekonomik, ekonomisë së vendit dhe të gjitha ndërmarrjeve që tashmë po i obligon dhunshëm dhe jashtë masës ligjore për të dalë në tregun e lirë. Ne kemi e parë vendimin, pra nuk është vendosur masa e përkohshme dhe presim që vendimi meritor do të merret në favor të bizneseve, në favor të ekonomisë, në favor të kërkesës tonë”, tha Shala.

Ai tha se pas refuzimit të kësaj kërkese edhe më tutje do të shfrytëzohen të gjitha mjetet e mundshme juridike dhe demokratike në shërbim të mbarëvajtjes së ekonomisë.

“Konsideroj që është bërë gabim i madh edhe juridik por edhe dëm i madh ekonomik vendit sepse kështu po e favorizon dhe po legalizon shkeljen e legjislacionit në fuqi për sektorë të caktuar, veçanërisht në pjesën e ZRRE-së. Me bindjen e plotë që vendimi meritor, që në shqyrtim e sipër do ta përmirësojë këtë gabim dhe do të jetë në favor të ekonomisë dhe kërkesës legale që ne e kemi parashtruar…Të gjitha mjetet e mundshme juridike dhe demokratike do të shfrytëzohen në shërbim të mbarëvajtjes së ekonomisë dhe në shërbim të gjithë qytetarëve të venit”, potencoi Shala.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë qëndron fuqishëm prapa deklarimeve të saj se procesi i liberalizimit është shoqëruar me një sërë shkeljesh procedurale dhe substanciale, të cilat janë evidentuar edhe nga institucionet evropiane.

Bizneset e Kosovës kishin organizuar protesta kundër vendimit të ZRrE, pasi sipas përfaqësuesve të bizneseve një veprim i tillë do të krijonte një ekonomi të rënduar në Kosovë.

/Telegrafi