Qytetarët të zhgënjyer me ZRRE-në: Kërkohet dorëheqja e Bordit
April 16, 2025

Eksperti i ekonomisë dhe analisti Shenoll Muharremi ka reaguar ashpër ndaj vendimit të ZRRE-së për rritjen e çmimit të energjisë elektrike me 16% duke e cilësuar të padrejtë, të paracaktuar dhe në kundërshtim të plotë me interesin publik.
Sipas Muharremit, kur u propozua për konsultim një rritje prej 15%, mijëra qytetarë, biznese, odat ekonomike, sindikata, deputetë dhe madje edhe Presidentja e vendit reaguan me fakte, analiza dhe protesta. Por pas gjithë këtyre konsultimeve, rezultati doli edhe më i keq – 16% rritje.
“Si mund të quhet ky proces i drejtë dhe legjitim?”, pyet ai duke e quajtur këtë një paradoks të pastër dhe dëshmi që vendimi ka qenë i përgatitur më herët, pavarësisht kundërshtimeve të gjerë publike.
Muharremi kritikon ashpër mënyrën e mbajtjes së mbledhjeve të Bordit të ZRrE-së duke theksuar se anëtarët nuk folën asnjë fjalë, por vetëm ngritën duart. “Anëtarët që nuk flasin, nuk diskutojnë, nuk e mbrojnë qytetarin e interesin publik, nuk e kanë vendin aty”, u shpreh ai.
Ai thekson se ky Bord ka humbur çdo legjitimitet moral, profesional dhe publik, dhe kërkon dorëheqjen e menjëhershme të tij. “Nuk ka më asnjë dialogim dhe bashkëpunim me këtë bord. Kuvendi i Kosovës, në momentin e parë që funksionalizohet, duhet ta shkarkojë Bordin dhe menaxhmentin e ZRrE-së”, ka thënë Muharremi.
Ai përmbyll reagimin duke kërkuar që këto vendime të padrejta dhe jotransparente të shfuqizohen, pasi ZRrE nuk përfaqëson më interesin publik dhe nuk ka të drejtë të udhëheqë sektorin më strategjik të vendit.
/Kosova.info