Search

​Qarkullimi në sektorët e minierave, gurëthyesve dhe energjisë shtynë rritjen në aktivitetet industriale në vend

June 24, 2026


Qarkullimi në sektorin e industrisë në Kosovë ka shënuar rritje prej 5.49% në muajin prill 2026, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, bëri të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës, ASK.

Sipas Statistikave Afatshkurtra të Industrisë, rritja më e madhe e qarkullimit është regjistruar në industrinë nxjerrëse (minierat dhe guroret), me 29.96%, pasuar nga furnizimi me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar me 7.08%, furnizimi me ujë dhe menaxhimi i mbeturinave me 5.77%, si dhe industria përpunuese me 4.21%.

Në të njëjtën kohë, numri i të punësuarve në industri ka shënuar një rënie të lehtë prej 0.13% krahasuar me prillin e vitit 2025.

ASK njofton se fondi i pagave dhe mëditjeve në sektorin industrial është rritur për 9.62% në baza vjetore. Rritja më e madhe është regjistruar në industrinë nxjerrëse me 17.62%, ndërsa industria përpunuese ka shënuar rritje prej 9.72%.

Furnizimi me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar është rritur për 9.53%, kurse sektori i furnizimit me ujë dhe menaxhimit të mbeturinave për 6.89%.

Të dhënat e ASK-së tregojnë se aktiviteti industrial në vend ka vazhduar trendin e rritjes gjatë muajit prill, i mbështetur kryesisht nga performanca e sektorit nxjerrës dhe e industrisë përpunuese, ndonëse numri i të punësuarve ka mbetur pothuajse i pandryshuar krahasuar me një vit më parë.
/Telegrafi