Search

Punëtorët e Ferronikelit protestojnë para Qeverisë: Ka krizë energjetike por ka edhe zgjidhje

28 Tetor, 2021


“Ka krizë energjetike por ka edhe zgjidhje”, “Qeveri reflekto, dëgjo kërkesat tona”, “Nuk duam të jemi në rrugë, por në fabrikë”, janë thirrjet që po bëjnë punëtorët e Ferronikelit.

Nën organizimin e Sindikatës së Pavarur Punëtorëve, punëtorët me helmeta në kokë e pankarta në duar, kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës.

Ata kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për 1 mijë punëtorët, të cilët që nga 8 tetori janë pa punë.

Për shkak të krizës energjetike në Evropë dhe ngritjes së çmimeve të energjisë elektrike në tregjet botërore, Ferronikel ka ndërprerë punën përkohësisht, përcjell KP.

Përfaqësuesi i kësaj proteste, Rifat Latifi ka thënë se ndërprerja e punës së tyre ka gjeneruar edhe shumë probleme.

“Qeverisë iu kemi drejtuar katër herë me shkresa për mbështetje, për hulumtimin e mundësive për tejkalimin e kësaj situate. Por kemi mbetur pa përgjigje”, ka thënë ai.

Më tej, punëtorët kanë kërkuar nga përfaqësuesit e qeverisë që të takohen me ta para objektit të qeverisë.

“Është fakt se Ferronikeli është privatizuar, por ne punëtorët nuk jemi të privatizuar. Ne jemi qytetarë të Kosovës dhe meritojmë trajtim nga qeveria”, ka thënë një nga punëtorët.

Në rast se nuk gjejnë mbështetje nga institucionet, ata kanë paralajmëruar protesta jo paqësore.

//Telegrafi