Prishtina po bëhet me taksi kompaninë e parë me vetura elektrike
December 10, 2021

Përmes postimit në rrjete sociale, ndërmarrësi nga Prishtina Fidan Hallaqi ka njoftuar se kompania e tij është licencuar për flotën e parë të taksive me vetura elektrike në Prishtinë, në partneritet me Volkswagen.
Kësisoji, duket se Prishtina po i bashkohet trendit evropian të zëvendësimit të mjeteve ndotëse të transportit me teknologji të reja pa ndotje.
“Pas dy vite hulumtim, planifikim dhe testime…po fillojme! Sapo u licencuam per floten e pare te taksive me vetura elektrike ne Prishtine. Se shpejti, ne partneritet me Volkswagen, qytetaret dhe vizitoret e Prishtines do te perjetojne nga afer udhetimin pa ndotje dhe me nje komoditet te larte qe sjelle familja e VW ID”, ka shkruar Hallaqi në rrjete sociale.
Ndryshe, ky lajm i mirë ka ardhur pikërisht në kohët kur kryeqytetasit përballen me ndotje të madhe të ajrit, të shkaktuar nga një numër faktorësh, duke përfshirë edhe veturat me djegie të karburanteve.
Ndotja e ajrit në Kosovë shkakton pasoja të shumta. Sipas përllogaritjeve, 760 njerëz vdesin çdo vit në Kosovë për shkak ndotjes së ajrit, ndërkaq kostoja ekonomike arrin mbi 240 milionë euro.
Sipas një studimi nga organizata Çohu, po të mos kishte vetura me djegie të karburanteve, ndotja e ajrit në Kosovë do të ishte 50 për qind më e ulët.
Studimi kishte marrë për bazë periudhën e vetizolimit, kur rënia e emetimeve të dioksidit të azotit, të shkaktuara nga djegia e karburanteve, kishte rënë për 50-60 përqind.