Search

Përfundon projekti fotovoltaik në Vaun e Dejës, KESH aplikon për licencë prodhimi

12 Janar, 2022


Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka aplikuar në Entin Rregullator të Energjisë në Shqipëri (ERE) për t’u licencuar në prodhim energjie nga centrali fotovoltaik i instaluar në digën e Qyrsaqit në hidrocentralit e Vaut të Dejës, i cili ka një kapacitet të instaluar prej 5.1 MW.

Projekti tashmë i përfunduar është lidhur në sistemin e unifikuar të kaskadës së Drinit dhe do të funksionojë sipas parimit të menaxhimit më të mirë të rezervës hidrike.

ERE pritet të nisë procedurën e licencimit këtë javë sipas kalendarit të vendimeve që do të merren në analizë në mbledhjen e Bordit që zhvillohet këtë të enjte.

Projekti i centralit fotovoltaik me kapacitet 5.1 MW është i vendosur në digën e Qyrasqit në hidrocentralin e Vaut të Dejës i treti në kaskadën e Drinit që menaxhohet nga KESH.

Paralelisht Korporata po zhvillon edhe një tjetër projekt fotovoltaik ku bëhet fjalë për një impiant lundrues vendosur mbi liqen i cili financohet nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Qeveria miraton ndërtimin e centralit fotovoltaik në Vaun e Dejës

Lexo më shumë

Referuar dokumenteve, impianti fotovoltaik lundrues do të ketë një fuqi të instaluar prej 12.9MW ndërkohë që vlerësohet si një mundësi e mirë për të diversifikuar burimet e energjisë në vend por edhe për të optimizuar më mirë prodhimin në kaskadën e Drinit.

Në total projekti ka një kosto të parashikuar prej 13.9 milionë euro por që një pjesë e tij do të përballohet nga fondet e vetë Korporatës.

Gjatë fazës së aplikimit për mbështetje KESH argumentonte se impianti i dytë që do të vendoset në kaskadën e Drinit është më i madhi lundrues në rajon dhe synon të të promovojë përdorimin e mëtejshëm të teknologjisë lundruese PV për të rritur kapacitetin diellor të rajonit përmes përdorimit efikas të rezervuarët hidro.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare nuk është e vetmja që po zbaton projekte të impianteve fotovoltaike lundruese. Më herët ishte edhe Devoll Hydropower me një impiant mbi liqenin e Banjës e cila bazohet ne një teknologji tërësisht të re.

/Monitor/