Përfundon ndërtimi i parkut solar 55 megavatësh në Maqedoni të Veriut
September 26, 2023

Mey Energy ka përfunduar ndërtimin e projektit solar fotovoltaik 55-megavatësh në Novaci të Maqedonisë së Veriut. Për momentin, ky projekt është më i madhi në Ballkan.
Vendosja e kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme në Ballkanin Perëndimor tashmë ka marrë hovin. Pak pasi filloi fazën testuese projekti solar 45 megavatësh në Bosne dhe Hercegovinë, në Maqedoni të Veriut ka përfunduar ndërtimi i një projekti të tillë, por me kapacitet më të madh, prej 55 megavatësh, raporton Balkan Green Energy News.
Projekti është ndërtuar afër minierës në Suvodol nga Mey Energy, ndërmarrje kjo e themeluar në vitin 2020. Ndërmarrja ka thënë se projekti do të prodhojë afërsisht 85 gigavat orë energji elektrike në vit, apo mjaftueshëm për të mbuluar nevojat e rreth 30 mijë amvisërive për energji elektrike.
Projekti në Novaci u ndërtua për dhjetë muaj
Vlera e përgjithshme e investimit në projektin solar në Novaci ka qenë rreth 40 milionë euro. Projekti është i shtrirë në 57 hektarë tokë dhe përbëhet nga 101,000 panele solare dhe 856 kilometra kabllo elektrike. Ndërtimi ka filluar në muajin nëntor dhe është bërë me nënkontraktorë nga Maqedonia e Veriut.
Projekti do të ketë jetëgjatësi prej 25 vitesh. Rryma e prodhuar do të shitet në tregun e lirë, fillimisht brenda kufijve të Maqedonisë së Veriut, përcjell Kosovo.Energy.
Projekti ka përdorur linjën ekzistuese të transmetimit të vendosur afër për nevoja të termocentralit me qymyr
Projekti solar në Novaci është ndërtuar në pronë private. Lokacioni ishte vlerësuar shumë i favorshëm, pasi është shumë afër rrjetit ekzistues 110 kV, që po përdorej për nevoja të termocentralit të vetëm me qymyr në Maqedoni të Veriut, atij në Manastir.
Edhe pse në faza të hershme zhvillimi, disa nga projektet fotovoltaike që po zhvillohen nga investitorët në Ballkanin Perëndimor do të tejkalojnë kapacitete qindra megavatshe.
Për momentin, ka shumë projekte me kapacitete më të mëdha prodhimi që po zhvillohen, sikurse në Kosovë, Bosne dhe Hercegovinë dhe Shqipëri.
/Kosovo.Energy