Search

Përfundon me sukses ndërtimi i largpërquesit për projektet e erës në Bajgorë

15 Korrik, 2021


Kompania ‘Elektrostublla’ ka përfunduar me sukses ndërtimin e largpërquesit që lidh nënstacionin e ri të parqeve për prodhimin e rrymës nga burime të ripërtëritshme të erës në Bajgorë, me nënstacionin e KOSTT afër Llamkos në Vushtrri.

‘Jemi jashtzakonisht të kënaqur me punët që janë bërë. Ne kemi arritur të përfundojmë linjën para afatit të përcaktuar kohor dhe me sukses kemi bërë testimet fillestare’, ka thënë Kristë Ramaj nga kompania kosovare Elektrostublla, e kontraktuar nga kompania Gjermane NOTUS Energy për të bërë ndërtimin e largpërquesit.

Në kuadër të projektit të ndërtimit të këtij largpërquesi janë vendosur gjithsej 92 shtylla të llojit J6, J3 dhe J1 në distancë mesatare prej 114 metrash nga njëra tjetra.

I gjithë procesi i ndërtimit të largpërquesit është mbikqyrur nga Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut – KOSTT, ndërmarrja Notus nga Gjermania përmes inxhinierëve dhe specialistëve, Rexhep Shaqiri nga KOSTT dhe Emira Polloshka nga NOTUS.

Në kuadër të projektit janë angazhuar dhe kompani tjera për mbikqyrje të procesit.

Duke bërë lidhjen në mes të nënstacionit në Selac dhe atij në Vushtrri, OHL 110 kV Vushtrri – Selac do të mundësojë shpërndarjen e sasive të prodhuara të rrymës nga era në Bajgorë në rrjetin e transmisionit të energjisë elektrike në Kosovë.

Ndryshe, parqet për prodhimin e erës me kapacitet të instaluar prej 105 megavatësh do të sjellin 27 turbinave nga prodhuesi i mirënjohur General Electric në rajonin e Selacit në Bajgorë.

Projektet do të përfundojnë së ndërtuari në vitin 2021, kur edhe do të fillojë prodhimi i energjisë elektrike dhe shpërndarja në rrjetin elektrik të Kosovës.

Vlera totale e investimit është 170 milionë euro. Investimi është duke u realizuar nga kompania “SOWI Kosovo” në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

Në këtë projekt, që konsiderohet ndër më të rëndësishmit në sektorin e energjisë së ripërtritshme në Kosovë, janë duke marrë pjesë investitorë nga shtatë vende të ndryshme të botës, me Gjermaninë dhe Izraelin si partnerë kryesor.

Pjesa më e madhe e projektit financohet me kredi nga BERZH.

Për ndërtimin e projektit është angazhuar kompania e njohur gjermane – Notus Energy.