Search

Përfaqësuesit e bizneseve e deputetët diskutojnë për daljen në treg të hapur të energjisë

30 Mars, 2021


Deputetët e rinj të Kuvendit të Kosovës me përfaqësueses të bizneseve kanë diskutuar për daljen në treg të hapur të energjisë për bizneset.

Bizneset paralajmëruan se liberalizimi i tregut të energjisë elektrike do të sjellë shtrenjtim të çmimeve, duke kërkuar rishqyrtim të bazës ligjore.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se në rast se ndodh ngritja e çmimit të energjisë elektrike do të dëmtojë bizneset dhe prodhuesit vendës.

Rukiqi ka thënë se kanë kërkuar nga deputetët që t’i rekomandojnë ZRrE- së që kalimin në tregun e rregulluar të energjisë të shtyhet për një vit.

“Ky takim vjen si rezultat i një diskutimi 3 vjeçar prej kur ne diskutojmë për një sfidë që po u paraqitet bizneseve në raport me kalimin nga tregu i rregulluar i energjisë elektrike në atë të derregulluar. Kosova ka miratuar një pako ligjore që i ka hapë rrugë liberalizimit të tregut të energjisë e cila është proklamuar si arritje e Kosovës në proces të ndryshme në tregun rajonal të energjisë. Barrën për implementimin e një pjese të kësaj pako e ka pasur rregullatori i energjisë dhe e ka akoma”.

“Në vitin e parë ne jemi njoftuar nga grupi i parë i kompanive nga 10 sosh që nëse implementohej kjo rregullore që ata të kalojnë në treg të rregulluar ky ndryshim i dërgonte në falimentim ata. Atëherë me përkrahjen e parlamentit Bordi i Rregullatorit ka marr vendim që të shtyhet për një vit implementimi i kësaj dispozite”.

“Pas një viti kemi njoftuar bizneset për një letër të Sekretariatit të Vjenës që ka shtyrë edhe një vit këtë rregullore. Kurse edhe sot jemi në një situatë të njëjtë. Numri i kompanive që këtë vit kanë obligim të dalin në tregun e derregulluar është shumë i madh. Rritja e mundshme si pasojë e ofertave që kanë marr kompanitë nga furnizues të ndryshëm që të ketë 30 ose 40 për qind rritje të kostos nënkupton rritje çmimit për produkte që nënkupton rritje të kostos së jetës së qytetarëve”.