Search

Për shkak të mungesës së gazit, Moldavia planifikon shpalljen e gjendjes së jashtzakonshme

15 Tetor, 2021


Zëvendës kryeministri i Moldavisë, Andrei Spinu ka thënë se së shpejti, Moldavia do të shpallë gjendje të jashtzakonshme të sektorit të energjisë për shkak të mungesës së furnizimit me gaz natyror dhe të kontratës së re me Gazprom nga Rusia.

Moldavia ka thënë se do të negociojë furnizimin me gaz nga Rumania dhe Ukraina, dhe se shpreson të nënshkruajë kontratë të re me Gazprom deri në fund të këtij muaji.

‘Ne do të kemi negociata me Gazprom gjatë ditës së nesërme dhe pasneser. Ne synojmë të nënshkruajmë kontratë për furnizim me gaz me Gazprom’, ka konfirmuar zëvendës kryeministri Spinu.

Vendimi për të shpallur gjendje të jashtzakonshme është marrë nga Komisioni i Moldavisë për Situata të Jashtzakonshme pas konsultimeve me kompanitë më të mëdha energjetike të Moldavisë, Moldovagaz, Termoelectrica Moldelectrica dhe Energocom.

Kontrata që Moldavia kishte me kompaninë ruse Gazprom për furnizim me gaz ka skaduar në shtator. Qeveria moldave kishte kërkuar zgjatjen e kontratës por palët nuk ishin pajtuar me çmimin e propozuar nga Gazprom në vlerë prej 684 eurosh për 1,000 metër kub gaz, kanë raportuar mediat lokale.

Moldova nuk ka rezerva gazi dhe mbulon të gjitha nevojat e veta për gaz duke e importuar atë nga Rusia.