Search

Paralajmërohet shtrenjtimi i energjisë elektrike në Kosovë

01 Dhjetor, 2021


Që nga viti i ardhshëm është paralajmëruar ngritje e çmimit të energjisë elektrike rreth 40%. Nga prilli i vitit 2022, ngritje të çmimit do të ketë edhe në faturat e rrymës për konsumatorët, përcjell RTKLive.

Ndërsa në një përgjigje për RTK-në, qeveria e Kosovës ka thënë se është themeluar një task forcë për masat në raste emergjente të krizave energjetike e cila do t’i përfshijë të gjithë akterët relevantë, si KOSTT, KEDS, KESCO, ZRRE dhe KEK.

Zëdhënësi i qeverisë Përparim Kryeziu, ka theksuar se në këtë taks forcë është menduar edhe për konsumatorët.

“Task Forca është duke hartuar Raportin për masat në rast të emergjencave energjetike. Ky Raport do të paraqes ndikimin e krizës së mundshme energjetike tek pjesëmarrësit e tregut të energjisë në vend si dhe tek konsumatorët final”, ka thënë Kryeziu për RTK-në.

Kryeziu ka thënë se Ministria e Ekonomisë është duke punuar në këtë aspekt.

“Aktualisht, nga Ministria e Ekonomisë janë duke u shqyrtuar opsionet për të ndihmuar, për aq sa ka mundësi brenda kornizës rregullative e ligjore dhe duke mos shkelur parimet e konkurrencës në treg”, ka shtuar ai.

Viktor Buzhala nga KEDS thotë se kanë kërkuar që të ketë ngritje rreth 7% të çmimit të energjisë elektrike.

“Sistemi ka një rendim të situatës, si pasojë e krizës globale, po flasim për cmime jashtëzakonisht të larta të importit, bëhet fjalë për pesë fishim të cmimeve. Aktualisht jemi duk e paguar 300 euro megavatin ndërsa vitin e kaluar e kemi blerë 60-70 euro”, ka thënë Buzhala.

Në tri termocentralet në këtë periudhë 10 mujore, sipas zëdhënësit të KEK-ut, Skender Bucolli, është bërë e ditur se janë tejkaluar pritshmëritë e planit të prodhimit të energjisë elektrike për 2%.

//RTKLive