Odat Ekonomike dhe bizneset bëjnë thirrje të vazhdueshme për pezullim të vendimit për dalje në treg të hapur
May 12, 2025

Oda Ekonomike e Kosovës i është drejtuar zyrtarisht Zyrës së Rregullatorit për Energji me kërkesë publike për pezullimin e vendimit për daljen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike nga data 01.06.2025.
OEK thekson se kjo kërkesë bazohet në shqetësimet e shumta të anëtarëve të Odës Ekonomike të Kosovës dhe në analizat që tregojnë se një hap i tillë në këtë periudhë do të kishte pasoja serioze për sektorin privat dhe ekonominë në përgjithësi.
Në shkresë thuhet se nuk është momenti i favorshëm për bizneset të dalin në tregun e hapur në këtë periudhë.
“Sektori privat punëson mbi 330 mijë punëtorë dhe dalja në treg në këto kushte mund t’i sjellë shumë biznese pranë falimentimit për shkak të pamundësisë financiare për të përballuar çmimet aktuale të tregut të hapur”, thuhet ndër të tjera në shkresën e OEK-ut drejtuar ZRRE-së.
Tutje thuhet se prodhimi vendor do të humbë konkurrueshmërinë me produktet e importuara, duke rrezikuar praninë e tyre në edhe në tregjet e rajonit dhe ato evropiane, për shkak të rënies së kërkesës për produkte vendore si rrjedhojë e rritjes së kostos së prodhimit që vjen nga shtrenjtimi i energjisë elektrike.
Pezullimin e vendimit për daljen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike është kërkuar të shtyhet për një vit
Oda Ekonimike Amerikane e sheh tregun të papërgatitur për këtë hap
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë thekson se përtej mungesës së konkurrencës reale në treg, afati i shkurtër nuk u ka dhënë bizneseve as kohë të mjaftueshme për përgatitje, as hapësirë për zbatimin e masave mbështetëse gjatë kësaj periudhe kalimtare, të cilat janë thelbësore për të shmangur goditjet financiare dhe rënien e konkurrueshmërisë.
“Shqetësimet e bizneseve janë rritur ndjeshëm pas ofertave të marra nga furnizuesit, të cilat parashikojnë rritje mbi 200% të tarifave të energjisë, një zhvillim që bie ndesh me pritjet se liberalizimi do të sillte ulje të çmimeve përmes konkurrencës. Kjo rritje e paparashikuar do të prekë zinxhirin e gjerë të bizneseve në vend, nga sektori prodhues dhe përpunues, deri te sektori i shërbimeve, tregtisë dhe teknologjisë, duke vënë në rrezik qëndrueshmërinë financiare dhe perspektivën e investimeve”, thuhet në reagim.
Klubi i bizneseve e cilëson vendimin si të ngutur dhe diskriminues
Klubi i Biznesit thekson se masa të tilla me ndikim kaq të madh nuk mund të miratohen në mënyrë ad hoc, pa konsultim dhe pa një planifikim strategjik.
“Përveçse i ngutshëm, duke targetuar kompanitë e mesme dhe të mëdha, ky vendim është edhe diskriminues dhe rezulton në trajtim të pabarabartë në treg.
Pasojat e një vendimit të tillë janë katastrofike për ekonominë kosovare prandaj ne i bëjmë thirrje Zyrës së Rregullatorit për Energji, ZRRE, që të shtyjë këtë vendim dhe të fillojë një proces përgatitor që siguron se liberalizimi zbatohet në mënyrë profesionale, transparente dhe të pranueshme për të gjitha palët e interesit”, thuhet në reagim.
Sipas tyre, nëse ky vendim hyn në fuqi në kushtet aktuale, rrezikon mbijetesën e shumë bizneseve kosovare dhe, si rezultat, shkakton dëme serioze në ekonominë e përgjithshme të vendit.
“Sektori privat e mirëpret në parim liberalizimin e tregut të energjisë, por ai duhet të realizohet në mënyrë të drejtë, të mirëmenduar dhe pa diskriminim. Një qasje gjithëpërfshirëse është thelbësore për të siguruar që kjo reformë të kontribuojë në stabilitetin dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë së Kosovës, dhe jo ta cenojë atë.
Si kontribuuesi më i madh në buxhetin e shtetit, sektori privat meriton vëmendje dhe mbështetje të vazhdueshme nga politikbërësit.
Çdo reformë duhet të reflektojë një angazhim të qartë për dialog, drejtësi dhe qëndrueshmëri afatgjate ekonomike”, thuhet në reagim.
/Telegrafi