Oda Ekonomike Britanike ka shprehur vërejtje drejt sektorit minierar në vend – Kërkon mëshumë nga Komisioni Minierar
February 25, 2026

Oda Ekonomike Britanike në Kosovë ka ngritur shqetësime serioze lidhur me gjendjen në sektorin e minierave, duke kërkuar masa urgjente për rikthimin e funksionalitetit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, KPMM.
Sipas odës, që nga viti 2020 KPMM është përballur me probleme të vazhdueshme operacionale, ndërsa vonesat në trajtimin e licencave kanë dëmtuar rëndë industrinë minerare dhe interesimin e investitorëve të huaj.
Nga 316 aplikime të dorëzuara, vetëm 60 licenca janë lëshuar nga bordi i fundit, me kohën e pritjesë për shqyrtim që ka arritur deri në 50 muaj, ndonëse afati ligjor është maksimumi pesë muaj.
Oda kërkon trajtimin e përshpejtuar të aplikacioneve, zbatim të plotë të ligjit brenda afateve të parapara, hartimin e një Strategjie të re Minerare si dhe plotësimin urgjent të Bordit të KPMM-së, në mënyrë që të rikthehet besimi i investitorëve dhe zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit.
Nga kjo odë kanë theksuar se bordi i aktual i KPMM-së, i emëruar në maj 2024, ka lëshuar vetëm 60 licenca nga 316 aplikime të dorëzuara, që do të thotë se më pak se 20% të aplikacioneve janë trajtuar, dhe të gjitha licencat e miratuara kanë qenë për resurse jo-metalore, duke përjashtuar aplikimet e lidhura me Trepçën.
Për krahasim, në vitin 2020 KPMM menaxhonte 854 licenca. Vetëm në periudhën janar–gusht 2020 (për shtatë muaj) janë lëshuar 167 licenca. Në dallim, gjatë mandatit të fundit dyvjeçar janë lëshuar vetëm 60 licenca, me rreth 160 licenca aktualisht nën menaxhim. Këto të dhëna janë marrë nga faqja zyrtare e KPMM-së.
Oda ka theksuar se KPMM nuk ka raportuar në Komisionin Parlamentar për Ekonomi që nga viti 2020.
Duke thënë se kjo ka shkuar në dëmtimin e reputacioni të KPMM-së si një nga institucionet më kredibile në vend, gjë që ka ndikuar negativisht edhe në interesimin e kompanive ndërkombëtare për investime në Kosovë.
Gjithashtu, sipas BCCK është evidentuar një trajtim jo i barabartë i kompanive private kundrejt atyre shtetërore si Trepça apo KEK-u. Duhet theksuar se Ligji duhet t’i trajtoj njëjtë të gjitha palët pavarësisht pronësisë së tyre.
‘‘Kosova dikur njihej për legjislacionin më të avancuar minerar në Evropë, të bazuar në praktikat më të mira të Australisë, duke përfshirë parimin “i pari që aplikon, i pari që shërbehet”, i ashtuquajturi “e drejta e të parit”. Megjithatë, moszbatimi i sundimit të ligjit, veçanërisht kur institucionet nuk respektojnë ligjet e tyre, si periudha e shqyrtimit 3+2 muaj, ka çuar në rënie të kredibilitetit institucional. Si pasojë, interesi i investitorëve zvogëlohet, pasi kompanitë zgjedhin vende të tjera për eksplorim. Edhe pse Kosova mbetet territor shumë atraktiv për eksplorime minerare, rrezikon të mbetet pa investitorë ndërkombëtarë dhe pa zhvillim serioz në sektorin e hulumtimeve minerale.
Kjo nuk është mënyra se si mund të tërhiqen investitorët e huaj, veçanërisht duke pasur parasysh se statistikat tregojnë se vetëm 0.01% e projekteve të hulumtimeve përfundojnë si miniera operative, zakonisht pas 15 deri 30 vitesh të punës intensive. Kjo dëshmon se investitorët seriozë kërkojnë stabilitet afatgjatë juridik dhe institucional.‚‚ thuhet në njoftimin e BCCK.
Nga kjo Odë është kërkuar
- Trajtimin e përshpejtuar të të gjitha aplikacioneve të mbetura;
- Zbatim të plotë të ligjit, duke siguruar që KPMM të përgjigjet brenda afatit ligjor prej tre muajsh, dhe jo më vonë se pesë muaj në raste specifike;
- Hartimin dhe miratimin e një Strategjie të re Minerare të Kosovës, pasi ajo e mëparshmja ka skaduar në vitin 2025;
- Plotësimin urgjent të Bordit të KPMM-së për të rikthyer funksionalitetin dhe kapacitetin e plotë operacional.
/Telegrafi