Oda Amerikane parasheh krizë në punësim dhe industri prodhuese si pasojë e liberalizimit të tregut
May 27, 2025

Oda Amerikane shprehet se përkundër faktit që liberalizimi i tregut të energjisë është një qëllim i mirëpritur në parim, “suksesi i tij cenohet nga mungesa e kushteve reale të tregut.”
Sipas kësaj Ode, pavarësisht ekzistencës së furnizuesve të licencuar, “vetëm njëri është plotësisht funksional, duke i lënë bizneset pa zgjedhje efikase dhe duke i ekspozuar ndaj rritjeve të çmimit të energjisë elektrike prej mbi 200%.” Kjo situatë, nuk përbën një treg konkurrues, por një tranzicion të parakohshëm që imponon një shok të menjëhershëm financiar për bizneset.
Oda Amerikane paralajmëron se rrezikohen drejtpërdrejt mijëra vende pune, veçanërisht në sektorë me konsum të lartë të energjisë të cilët përbëjnë bazën e ekonomisë prodhuese në Kosovë.
“Varësia e plotë e Kosovës nga energjia elektrike, pa qasje në burime alternative si gazi natyror, i bën të paqëndrueshme krahasimet me modelet e tjera rajonale të liberalizimit. Mjedisi energjetik i vendit, kërkon një qasje të kujdesshme në disa faza, e jo një liberalizim për të cilin është dhënë njoftim prej vetëm tre muajsh dhe pa mbështetje kalimtare”, thuhet në deklaratë.
Po ashtu, Oda ngre shqetësime për mungesën e transparencës institucionale në këtë proces.
“Mungesa e një Kuvendi funksional dëmton më tej llogaridhënien institucionale dhe ngre shqetësime serioze në lidhje me legjitimitetin e zbatimit të një ndryshimi kaq të madh”, thuhet më tej nw reagimin e saj.
Për këtë arsye, Oda Amerikane i ka bërw thirrje Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që të “shtyjë afatin e 1 qershorit dhe të shfrytëzojë periudhën pasuese për sigurimin e kushteve të nevojshme rregullative, teknike dhe të tregut për një sektor energjie vërtet konkurrues.”
Sipas saj nëse nuk adresohen këto shqetësime, liberalizimi rrezikon të shkaktojë “dëme afatgjata në ekonominë, klimën e biznesit dhe konkurrueshmërinë e Kosovës.”
/Telegrafi