Search

Nuk kalon rezoluta e PDK-së për uljen e çmimit të rrymës, 55 deputetë abstenuan

08 Shkurt, 2024


Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar rezolutën në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët.

Pro kësaj rezolute votuan 29 deputetë, ndërsa 55 abstenuan.

“29 vota për, asnjë kundër, 55 abstenime. Konstatoj që Kuvendi nuk e miraton rezolutën në lidhje me çmimet dhe faturimin e energjisë elektrike për konsumatorët”- tha nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.

Kjo rezolutë ishte prezantuar nga Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa debati i thirrur për këtë çështje ka zgjatur mbi 4 orë në seancën e mbajtur disa ditë më parë.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala kur kishte prezantuar rezolutën në Kuvend kishte deklaruar se për dy vite çmimi i rrymës është rritur disa herë, përkundër ankesave të qytetarëve.

“Çmimi u rrit për 100% për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kw orë energji. Siç dihet pas pezullimit të vendimit nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ishte Gjykata Supreme që i hapi rrugë zbatimit të vendimit për shtrenjtim. Shtrenjtimi nga ZRRE dhe e Qeverisë me vendimin e mësipërm u konsiderua i pamjaftueshëm. Politika e subvencionimit ishte e përkohshme dhe e pamjaftueshme për të adresuar shqetësimet e mëdha për gjendjen e krijuar”- kishte thënë Shala në seancën e kaluar.

Ndërsa ka prezantuar rezolutën e cila është sjellë në Kuvend me propozim të tri partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK.

Propozim rezoluta

I rekomandojmë ZRRE-së të anulojë vendimin për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike dhe të marrë vendim për uljen e çmimit të saj në harmoni me rrethanat socio- ekonomike
I rekomandon ZRRE-ë që brenda afatit të arsyeshëm kohor të marrë vendim për anulimin dhe heqjen e bllok tarifës për kualifikimin e shpenzimeve të energjisë elektrike për konsumatorët familjar
I rekomandon ZRRE-së ndërmarrjen e masave në raport me KESCO për sigurimin, trajtimin efektiv dhe të barabartë ndaj konsumatorëve që kanë parashtruar ankesë ndaj faturave të energjisë në muajin dhjetor 2023 dhe ankesave eventuale për vitin 2024
Obligojmë qeverinë e Kosovës për marrjen e masave, vendimeve, veprimeve për krijimin e parakushteve financiare për anulimin e menjëhershëm të vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe lehtësimin e barrës financiare
Kërkojmë nga ZRRE dhe Qeveria e Kosovës të njoftoj Kuvendin për përmbushjen e pikave 1, 2,3 si dhe 4 të kësaj rezolute.