Search

Një person dëmton largpërçuesin, 3 mijë banorë në Restelicë pa rrymë

20 Dhjetor, 2022


Afro 3 mijë banorë të fshatit Restelicë kanë mbetur pa energji elektrike gjatë ditës së hënën, kjo pasi që një person ka dëmtuar largpërçuesin 10kv pasi kishte filluar ndërtimin e një objektit nën të.

Sipas Kompanisë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike pas fillimit të këtij objektit është dëmtuar linja.

“Largpërçuesi 10kv në Restelicë mbetet pa tension, konsumatori fillon ndërtimin e objektit nën të dhe si pasojë e ndërtimit dëmtohet linja. Me qëllim të energjizimit të daljes nga Largpërçuesi në Restelicë, ekipet e KEDS-it tentuan të bëjnë rregullimin në trasenë ekzistuese. Megjithatë, ata gjatë punës u penguan nga një konsumator, i cili nuk u lejoi atyre qasje. Për më tepër, nga terreni u pa se konsumatori kishte filluar edhe ndërtimin e një objekti nën linjën 10 kV, gjë që nuk përkon me rregullat dhe ligjet në fuqi. Si pasojë, mbi 3000 konsumatorë kanë mbetur pa energji elektrike”, thuhet në njoftimin e KEDS.

KEDS tutje ka bërë të ditur se për këtë rast është njoftuar edhe Policia e Kosovës.

“Me ndihmën e Policisë, shpresojmë se nesër do të bëhet aktivizimi i linjës dhe të kthehet energjia te konsumatorët. KEDS do të vazhdojë ta përcjell rastin te organet kompetente. KEDS-i mbetet i përkushtuar në gjetjen e zgjidhjeve, gjithnjë duke respektuar rregullat dhe ligjet në fuqi, me qëllim të furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve tanë”, thuhet tutje në njoftim.