Search

Një kompani publike e cila gjeneron energji elektrike mund të kursej £21 miliardë në vit për taksapaguesit britanez

09 Mars, 2023


Një kompani publike e prodhimit të energjisë elektrike mund t’u kursejë britanikëve gati £21 miliardë në vit, sipas analizës së re të Partisë së Punës për të hapur një kompani kombëtare të energjisë nëse partia fiton pushtet.

Thinktank Common Wealth ka llogaritur se kostoja e gjenerimit të energjisë elektrike nga një kompani nën pronësinë e shtetit për energjinë e konsumuar nga shtëpitë dhe bizneset mund të reduktohet me £20.8 miliardë ose £252 për familje në vit, sipas një raporti.

Udhëheqësi i Partisë së Punës, Keir Starmer, është zotuar të krijojë “një kampion kombtar në fushën e energjisë së pastër në pronësi publike” të quajtur Great British Energy. Starmer ende nuk ka paraqitur strukturën e saktë të kompanisë së diskutuar, megjithëse ai ka thënë se kjo nuk do të përfshijë shtetëzimin e aseteve ekzistuese, ose të përfshihet në transmetimin ose furnizimin me pakicë të energjisë. Starmer në vend të kësaj shpreson të krijojë një entitet të mbështetur nga shteti që do të investojë në energjinë e pastër – erë, diell, baticës, bërthamore dhe teknologji të tjera në zhvillim – duke krijuar vende pune dhe duke siguruar të ardhura nga rritja e energjisë me karbon të ulët, që t’i kthejë qeverisë.

Raporti i Common Wealth, i cili analizoi skenarët për reformimin e tregut të energjisë elektrike, tha se një kursim i madh në kostot e energjisë elektrike mund të bëhet duke blerë asete të tilla si gjeneratorët e erës, diellit dhe biomasës me kontrata të vjetra dhe duke i menaxhuar ato mbi baza jofitimprurëse. Financimi i këtyre masave mund të kërkojë shpërndarjen e obligimeve qeveritare, ose një formë të procesit të blerjes së detyrueshme. Studimi i Common Wealth arriti në përfundimin se një gjenerator i energjisë me karbon të ulët në pronësi publike do të përmbushte më së miri qëllimet ekonomike të Britanisë, do të eliminonte fitimet e papritura të bëra nga gjeneratorët dhe do të shkurtonte faturat e konsumatorëve shtëpiak.

Vitin e kaluar qeveria u përpoq të detyronte kompanitë që operonin me gjeneratorë e energjisë së ripërtëritshme, duke përfshirë termocentralet bërthamore, me kontrata më të vjetra që të kalonin në kontrata për diferencë (CfD), duke lejuar që çdo fitim i madh të kthehej tek taksapaguesit. Megjithatë, qeveria më vonë vendosi të tatojë firmat përmes taksës së gjeneratorëve të energjisë elektrike.

Deputetët dhe aktivistët kanë argumentuar se kompanitë energjetike të Britanisë duhet të shtetëzohen që me fillimin e krizës energjetike, e cila ka rezultuar me prodhues të naftës dhe gazit të Detit të Veriut dhe gjenerues të energjisë elektrike që kanë bërë fitime të mëdha, dhe një varg furnizuesish me pakicë në kolaps, duke u kushtuar taksapaguesve miliarda.

Kundërshtarët e shtetëzimit në energji argumentojnë se ai mund të mbysë inovacionin dhe t’i ekspozojë taksapaguesit ndaj rreziqeve të mëdha financiare.

Common Wealth vuri në dukje se më shumë se 40% e kapacitetit të prodhimit të erës në det të Mbretërisë së Bashkuar ishte në pronësi publike nga entitete kombëtare të shteteve të tjera, që do të thotë se përfitimet e çmimeve të larta të energjisë elektrike të lidhura me luftën në Ukrainë ishin kthyer në qeveri të tjera. Studimi zbuloi se modeli i gjeneratorit në pronësi publike do të krijonte më shumë kursime se opsionet e tjera, duke përfshirë një nxitje për CfD-të vullnetare; ndarjen e tregut të gjenerimit midis burimeve të ulëta të karbonit dhe karburanteve fosile dhe një “modeli të vetëm blerës” me furnizues të nacionalizuar me pakicë.

Drejtori i Common Wealth, Mathew Lawrence, tha: “Sistemi i energjisë përballet me dy sfida të mëdha: fitimet marramendëse që bëhen nga gjeneruesit dhe nevojën për të dekarbonizuar me shpejtësi gjenerimin. Një gjenerator në pronësi publike mund të adresojë të dyja këto çështje urgjente, duke rindërtuar sistemin energjetik rreth interesit publik. Kjo është mënyra më e shpejtë, më e drejtë, më efektive për të ndërtuar një sistem energjetik të pastër, të sigurt dhe të përballueshëm.”