Search

Nisin intervenimet për përmirësimin e efiçiencës së energjisë së shtëpive në Prizren

05 Maj, 2021


Komuna e Prizrenit ka njoftuar se është përfituesja e parë e projektit “Subvencione për Efiçiencë të Energjisë”, që zbatohet nga Fondacioni i Mileniumit i Kosovës (MFK) mbështetur nga Korporata e Sfidave të Mileniumit (Millennium Challenge Corporation-MCC).

Në kuadër të këtij projekti, të enjten, kanë nisur punimet për rinovimin e shtëpisë së Murtezan Bajramit, objekt ky i ndërtuar në vitin 1985, në të cilën ceremoni kanë marrë pjesë ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, drejtoresha e MCC-së për Kosovë, Sarah Olmstead dhe drejtori Ekzekutiv i MFK-së, Petrit Selimi.

“Fondacioni i Mileniumit i Kosovës (MFK) lansoi aktivitetin e tij më të madh që fokusohet në përmirësimin e efiçiencës së energjisë së shtëpive dhe ndërtesave banesore në Kosovë. Projekti SEEK (Subvencione për Efiçiencën e Energjisë në Kosovë – SEEK), është një investim prej 20.6 milionë dollarësh, implementuar nga Programi i Pragut, marrëveshje kjo e arritur midis Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe Kosovës. Vëmendje e veçantë në këtë aktivitet do t’u kushtohet shtëpive në pronësi të familjeve që janë në skemat sociale ose në pronësi të grupeve të tjera të cenueshme”, thuhet në komunikatën e Komunës së Prizrenit.

Ndërsa Sarah Olmstead, drejtoreshë e MCC-së për Kosovë, ka vënë në pah ndikimin mjedisor të joefiçiencës. “Nëse e keni vënë re, këtu në Kosovë pjesa më e madhe e ndotjes vjen nga shtëpitë, prandaj efiçienca e energjisë mund të përmirësojë drejtpërdrejt shëndetin, jo vetëm për banorët e shtëpive që bëjnë investimin, por për të gjitha familjet dhe fqinjët që jetojnë pranë”, është shprehur ajo.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, ka theksuar urgjencën për të vepruar më fuqishëm në lidhje me klimën dhe përpjekjet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të trajtuar ndryshimet klimatike dhe zotimin e tyre për të pasur një sektor të energjisë pa karbon deri në vitin 2035.

“Unë jam veçanërisht i emocionuar që jam sot këtu në Prizren për të lansuar një program stimulues për familjet kosovare që ka për qëllim investimet në efiçiencën e energjisë. Ky program do të ndihmojë në zvogëlimin e kostos së rinovimeve për efiçiencë të energjisë dhe përfundimisht në zvogëlimin e konsumit të energjisë në amvisëri – dhe njëkohësisht i kthen paratë në xhepat e qytetarëve. Ulja e sasisë së energjisë që konsumojmë në shtëpi, jo vetëm që i ulë faturat, por është një nga mënyrat përmes të cilave ne mund të luftojmë kundër ndryshimeve klimatike”, ka thënë ambasadori Kosnett.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka shprehur vlerësimin e tij të thellë që kjo komunë është e para që përfiton nga ndërhyrja e MCC-së dhe MFK-së.

“Ky projekt është më se i qëlluar, ngase duke udhëtuar nëpër Kosovë, vërejmë se kemi shumë shtëpi me blloqe të kuqe, të pa fasaduara dhe të palyera. Arsyet janë të shumta, por ne duhet të punojmë intensivisht që ta ndryshojmë këtë gjendje, ngase në këtë mënyrë familjet dhe fëmijët tanë do të kenë ambiente më të ngrohta gjatë dimrit dhe më të freskëta gjatë verës”, ka deklaruar ai.

Drejtor Ekzekutiv i MFK-së, Petrit Selimi, ka pohuar se nga viti 2016, është dizajnuar ndërhyrja “për projekte testuese të fokusuara në zvogëlimin e hendekut midis kërkesës dhe furnizimit me energji elektrike”.

“Agjencitë e tjera, institucionet dhe sektori privat janë të fokusuara në anën e prodhimit, ndërsa fokusi ynë kryesor në të vërtetë është të ndihmojmë kosovarët të shpenzojnë më pak dhe të kursejnë më shumë e të jetojnë më rehat në shtëpitë e tyre”, ka thënë Selimi.

Sipas komunikatës së Komunës së Prizrenit, kjo ndërhyrje është pjesë e Pakos së Rinovimeve për Efiçiencë të Njësive të Banimit (HER), që është pjesë e Projektit SEEK, i cili synon të zvogëlojë konsumin e energjisë elektrike në sektorin e amvisërisë përmes testimit të subvencioneve dhe stimujve të tjerë për njësitë e banimit në mënyrë që të investojnë në masat e efiçencës së energjisë.