Search

Nga PDK thonë se ishin gjetur burime të tjera finaciare për projektin ‘Kosova e Re’ pasi u tërhoq Banka Botërore

April 29, 2022


Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, së bashku me sekretarin për Organizimin e Zgjedhjeve tek Partia Demokratike e Kosovës, Betim Gjoshi, ishin të ftuar në emisionin Politiko në kuadër të Kanal 10 për të diskutuar seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës, në të cilin formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për Energjinë nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme.

Diskutimi, ku morën pjesë edhe analistë politikë, u fokusua edhe në dështimet e qeverive të mëparshme të Kosovës për të ndërtuar kapacitete të reja gjeneruese të energjisë në Kosovë.

Analisti politik, Adrian Çollaku, vuri në dukje se ishte pikërisht gjatë mandatit të PDK-së në qeveri që në vitin 2007 dështoi projekti për termocentralin Kosova C.

Sipas Çollakut, nëse Kosova do ta kishte atë termocentral tani, do të ishte një superfuqi energjetike për rajonin.

Madje, ai u ka sqaruar anëtarëve të PDK-së të pranishëm në diskutim se nëse do ta pranojnë atë fakt dhe do ta pranojnë fajin dhe keqbërjen e tyre, opinioni i gjerë do të ishte më mirënjohës dhe do ta pranonte dështimin e tyre.

“Faktikisht kjo është shqetësuese se cka po bënë sistemi. Mirëpo, si opozit po ju bënë favor, sepse po të mos ishte cështja e energjetikës ju nuk do të ishit vërejtur hic”, tha Çollaku.

“Natyrish se fajin pse sot e kemi këtë gjendje e ka edhe opozita. Ne e dijmë që në 2007 kur ka ardhur në pushtet PDK e ka rrëzu Kosova C”, tha tutje ai.

“Sikur ta kishim sot Kosovën C, Kosova do të ishte superfuqi në rajon sa i përket cështjes së energjetikës. Kush i ka rrëzu? Ne e dijmë kush ka qenë në 2007. Edhe shoqëria civile ka ndiku aty”, tha ai.

“Po a pe sheh ku po dalin lobistat ty. Ty të dalin lobistat atje, atje. Sot Vetëvendosja i ka njerëzit që kanë lobuar kundër energjetikës i ka në parti, i ka deputet në Kuvend”, theksoi ai.

Muhaxheri: Është dashur të ndërtohet ‘Kosova e re’, projekt i propozuar nga ish-ministri Çeku

Lexo më shumë

Haradinaj për termocentralin me qymyr ‘Kosova e Re’: Ka qenë hera e fundit që kemi mundur të ndërtojmë me qymyr

Lexo më shumë

Mirëpo, sekretari për Organizimin dhe Zgjedhjet e Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, ka sqaruar se pikërisht për këtë, grupi parlamentar i PDK-së është pro formimit të Komisionit Hetimor Parlamentar për të hetuar çdo çështje energjetike në Kosovë që nga pas lufta e cila përfundoi në vitin 1999.

Për më tepër, Gjoshi tha se vërtetë janë të investuar për të kuptuar se pse dështoi projekti i termocentralit “Kosova e Re”, i cili ishte paraparë dhe ishte dakorduar të ndërtohej me kompaninë amerikane “ContourGlobal”?

Gjoshi po ashtu theksoi se janë të interesuar që ta gjejnë arsyen që e ndaloi projektin e gazit në Kosovë.

“Na bash për këtë jemi për me u hetu prej vitit 1999 cështja e rrymës. Për këtë kemi me mbështet komisionin tjetër”, tha Gjoshi.

“Për të vetmen arsye për të parë kush e ka ndalur ContourGlobal? Pse u hek nga Kosova?”, tha ai

“Kush i ka ndalur burimet e gazit? Me të cilat Kosova do të thotë nuk e kish pas të vetmin burim thëngjillin. Pra për të gjitha këto, kush i ka penguar këto, kena me hetu?”, pyeti Gjoshi.

Diskutimi me ritëm të lartë përfshiu edhe disa shkëmbime të tjera mes analistëve dhe Gjoshit për këtë temë, me Çollakun që shtroi sërish pyetjen se kush e rrëzoi projektin Kosova C?

Për këtë, Gjoshi u përgjigj se është modifikuar bashkërisht me Bankën Botërore, duke shpjeguar se nuk është rrëzuar, por është modifikuar.

Gjoshi këmbënguli se ContourGlobal [Kosova e Re] ishte projekti që dështoi, duke pretenduar se PDK-ja e la si projekt të nënshkruar kur u larguan nga qeveria.

“E kush e ka rrëzu Kosovën C?”, pyeti Çollaku.

“Është modifikuar sëbashku me Bankën Botërore, e dini shumë mirë, ka qenë një proces i tyre në bazë të këshilltarëve, nuk është rrëzu është modifikuar”, u përgjigj Gjoshi.

“Ka dështu ContourGlobal, ne e kemi lënë të nënshkruar kur kemi dalur nga qeveria”, theksoi Gjoshi.

“Ju duhet të jeni të sinqertë, me thënë këtu kemi gabuar sepse asgjë e keqe nuk është, dilni më mirë”, tha Çollaku.

“E vërteta është një send, se të gjitha partitë politike nuk i pranojnë gabimet. Kurgjo nuk ka të keqe, edhe ju si PDK reflektoni, keni bërë gabime. Thuani kemi gabuar në 2007 atje, dhe sot jemi në këtë situat”, tha ai.

“Beso që ka me të marrë seriozisht opnioni. Po ti nëse thu, ne kemi bërë mirë e mirë e mirë e mirë, kta vec keq, beso që nuk qendron dhe nuk dilni kredibil”, shtoi Çollaku.

Në diskutim është përfshirë edhe Krenar Shala, analist politik, i cili ka thënë se nëse Banka Botërore është tërhequr nga financimi i projektit të termocentralit “Kosova e Re”, asnjë institucion tjetër financiar nuk mund ta merrte seriozisht projektin apo Kosovën.

Gjoshi u përgjigj se janë gjetur burime të tjera financimi dhe se në fakt projekti apo Kosova është marrë seriozisht.

“Banka Botërore është tërhekur nga ContourGlobal? Institucioni kryesor financiar botëror kur tërheket nuk të merr askush seriozisht më”, tha Shala.

“Po, por janë gjetur burime tjera. E ka marrë seriozisht”, u përgjigj Gjoshi.

Termocentrali "Kosova e re", Qeveria nuk tregon për fatin e tij

Lexo më shumë