Search

Termocentrali “Kosova e re”, Qeveria nuk tregon për fatin e tij

22 Qershor, 2021


Institucionet e reja të Kosovës nuk kanë treguar ende se çka do të ndodhë me termocentralin ‘Kosova e Re’. I vlerësuar si një nga investimet më të mëdha të huaja që kapte vlerën e 1.3 miliardë euro, i njëjti nuk ka arritur të dalë ende në dritë, ka raportuar Kanal10.

Megjithëse me projektin në fjalë nuk dihet se çka do të ndodhë në të ardhmen, vendi ynë do të ketë punë në gjykatën e arbitrazhit për këtë projekt.

Kompania Amerikane, ContourGlobal, që synonte të ndërtonte këtë termocentral po kërkon 20 milion euro dërmshpërblim në rastin e ngritur në gjykatën e arbitrazhit ndërkombëtar.

Mirëpo, avokati i shtetit, Sami Istrefi, në një prononcim për Kanal10, ka theksuar se ai pret që Kosova ta fitoj rastin

“Pala paditëse është tërhekur vetë nga ky proces”, tha Istrefi.

“Prandaj përball kësaj Kosova ka argumente të forta, dhe në të njëjtën kohë do t’i argumentoj para tribunalit ndërkombëtarë të arbitrazhit. Në vlerësimin tonë shihet qartë një situatë e tillë do të jetë pozitive për shtetin e Kosovës”, tha Istrefi për Kanal10.

Derisa dërgimi i lëndëve kundër Kosovës në arbitrazh ka filluar të shpeshtohet, avokati i shtetit, Sami Istrefi, ka kërkuar plotësim ndryshimin e nenit 16 të ligjit për investime të huaja.

Ai tha se Kosova duhet t’i përafrohet dhe t’i përshtatet rregullave të Bashkimit Evropian, me qëllim që të jetë në një pozitë që të mbrohet më mirë nga të tilla situata.

“T’i përshtatemi rregullave ashtu siç i kanë të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, përshkak se jo domosdoshmërisht të gjihtë investitorët të cilët kanë pasaportë të huaj mund të paraqesin Kosovën në arbitrazh ndërkombëtar”, theksoi Istrefi për Kanal10.

“Vetëm atëherë, ne mund të kemi një situatë tjetër në qoftëse në raportet kontraktuale palët shprehin që për moszgjidhjen e një çështje të caktuar, mund ta zgjedhin gjykatat, do të jenë në gjykatat e rregullta të Republikës së Kosovës apo ato të Arbitrazhit Ndërkombëtar”, tha Istrefi.

Në anën tjetër, shoqëria civile e konsideron si plan apo projekt të vdekur ndërtimin e termocentralit nga thëngjilli

Dardan Abazi nga INDEP, për Kanal10 shprehi bindjen e tij që politikanët kanë filluar të kuptojnë që qymyri nuk ka të ardhme në Kosovë, dhe se është koha që të konsiderohen burime të tjera alternative për gjenerim të energjisë.

“Avokojmë vazhdimisht që nga viti 2012 që të mos ketë ndërtim të një termocentrali të ri nga qymyri. Por të shihen alternativat dhe të shihet mundësia që të ndodhë tranzicioni i energjisë, pra nga energjia e bazuar në qymyr, në një energji që bazohet në burimet e ripërtëritshme të energjisë, në efiçensën e energjisë, në liberalzimin e në integrimin e tregut”, tha Abazi në një intervistë për Kanal10.

Përpjekja e fundit për nisjen e ndërtimit të termocentralit të tretë për prodhimin e energjisë nga thëngjilli, me kapacitet prej 500MW, ishte në vitin 2017, kur qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj nënshkroi kontratën me kompaninë Amerikane, ContourGlobal.

Ndryshe, Kanal10 ka kërkuar edhe një qëndrim nga Ministria e Ekonomisë, në lidhje me atë se a duhet të ndërtohet ky termocentral i ri, ‘Kosova e Re’, apo duhet të ndalet si proces.

Mirëpo të njëjtit, edhe pas disa përpjekjeve, nuk kanë dhënë detaje apo sqarime, ka raportuar Kanal10.

Avokati i Shtetit: Kosova pret fitore në përballje me Contour Global

Lexo më shumë