Search

Nëse Elektrosever vazhdon me shkelje ZRrE-ja ia heq licencën – “ekziston një mekanizëm që aktivizohet pas 100 ditësh”

07 Korrik, 2022


Nëse kompania serbe Elektrosever vazhdon të mos respektojë afatet e pajtuara me udhërrëfyesin për implementimin e marrëveshjes për energjinë të arritur në Bruksel, atëherë Zyra e Rregullatorit të Energjisë e ka mundësinë që t’ia tërheqë licencën, të cilën ia dha me 24 qershor.

Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu, ka konfirmuar për Albanian Post se Elektrosever nuk u ka qëndruar besnik afateve që parashihen me udhërrëfyes dhe kështu nuk i ka dorëzuar të dhënat për konsumatorët në veri siç parashihet me pikën dy të udhërrëfyesit dhe as nuk i ka nënshkruar marrëveshjet me KOSTT-in dhe me KEDS-in, siç precizon pika tre e marrëveshjes.

“Është e shkruar kjo që pas 100 ditësh ne e konsultojmë pse s’i ka arritur këto marrëveshje dhe pse s’janë respektuar afatet dhe mbas 100 dite ne e tërheqim licencën”, ka deklaruar Zejnullahu.

“Por, po. As te KEDS-i as te KOST-i nuk i kanë dërguar të dhënat, domethënë as pika tre as pika dy e marrëveshjes nuk është plotësuar”.

Para se të kalojë ky afat prej 100 ditësh edhe nëse Elektrosever nuk respekton asnjë afat, Kosova s’ka mekanizma të detyrimit.

“Nuk ka masa, që me thanë ‘nëse nuk i respekton brenda shtatë dite…’. Thënë të drejtën mirë kish qenë që t’i respektojnë afatet, por nuk ka masa nëse nuk respektohen. Afati i fundit është 100-ditëshi, nëse brena 100 dite komplet ato pika nuk respektohen, ZRRE-ja e ka të drejtën me ia tërheq licencën edhe përfundon ky proces”.

Nga Qeveria e Kosovës nuk janë përgjigjur për çështjen, kurse nga Bashkimi Evropian, të pyetur rreth kësaj ngecje, kanë thënë vetëm se të dyja palët duhet të respektojnë pajtimet e arritura.

“Bashkimi Evropian rrjedhimisht pret që të dyja Palët t’i përmbahen hapave të pranuar dhe t’i zbatojnë ato përshtatshmërisht me kohën në mirëbesim. BE gjithashtu nxit të dyja Palët të bëjnë progres në të gjitha punët e tjera të pazgjidhura që i përkasin zbatimit”, thuhet në përgjigjen e Zyrtares për shtyp për Politikë të Jashtme dhe Siguri nga BE, Paloma Hall Caballero.

Të pyetur nga Albanian Post nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë kanë treguar se nuk është respektuar ajo që është akorduar në marrëveshje.

“Kompania Elektrosever nuk i ka siguruar ende KOSTT-it të dhënat siç parashihet në pikën e dytë në Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë”, thuhet në përgjigjen e KOSTT-it.

Por, jo vetëm ky afat dhe jo vetëm kjo pikë.

Një dyzinë marrëveshjes që pritej të nënshkruheshin në mes të Elektroseverit, KOSTT-it dhe KEDS-it nuk janë nënshkruar po ashtu.

Sipas pikës tre të marrëveshjes, “brenda 10 ditësh të pajisjes me licencë, Elektroseveri do të nënshkruajë marrëveshjen e nevojshme teknike me KOSTT-in dhe KEDS-in në mënyrë që të operojë në tregun energjetik të Kosovës”.

“Gjithashtu, nënshkrimin për strukturën e marrëveshjes për pranimin e rregullave të tregut të elektricitetit me KOSTT-in”.

Kjo pikë detyron edhe që brenda 10 ditësh të nënshkruhet “Marrëveshja e ndërlidhjes me KEDS-in, dhe një marrëveshje komerciale me KEDS-in për të mundësuar shërbimin e distribuimit (faturimin, ,mbledhjen, mirëmbajtjen fizike të lidhjeve të konsumatorëve të rinj), në katër komunat veriore me shumicë serbe, sipas paragrafit 1 të artikullit 5 të marrëveshjes së 2013-së”.

Asnjë nga këto marrëveshje nuk është nënshkruar përkundër se ka kaluar afati i pajtuar në Bruksel.

“Marrëveshjet në fjalë janë nënshkruar nga ana e KOSTT në përputhje, format dhe standarde te këtyre marrëveshjeve te aprovuara nga ZRRE dhe janë dërguar për nënshkrim tek Elektrosever në afatin e paraparë sipas Udhëzuesit, por ende nuk i kemi pranuar versionet e njëjta të nënshkruara nga kompania Elektrosever. Jemi ne pritje te konfirmimit nga furnizuesi Elektrosever”, tregojnë nga KOSTT-i për Albanian Post.