Search

Në Kosovë më shumë rrymë humbet se që importohet, humbjet më të larta në Mitrovicë

13 Maj, 2022


Me 56.2%, Mitrovica prinë në listën e rajoneve me humbjet më të mëdha energjetike, pasuar nga Peja me 25.95%. Sipas raportit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2021, rreth 24.57% (apo 1.54 gigavat) e energjisë elektrike në Kosovë humbet në rrjetin e shpërndarjes, raporton Kosovo.Energy.

Gjysma e kësaj vlerësohet si humbje teknike, ndërsa gjysma tjetër si humbje komerciale (që përfshinë konsumin e paautorizuar të energjisë).

“Humbjet teknike në rrjetin e shpërndarjes ende janë mjaft të larta, dhe në vitin 2021 kanë qenë 12.46%, kurse konsumi i paautorizuar i energjisë (më tutje në tekst humbjet komerciale) përbëjnë 12.11 % të kërkesës në shpërndarje, prej të cilës energjia e pa faturuar në katër komunat veriore të Kosovës përbënë 5.95 % (372 GWh)”, thuhet në raportin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2021, raporton Kosovo.Energy.

Vlera e energjisë së humbur është më e madhe se sasia e përgjithshme e energjisë elektrike të importuar në vitin 2021, që ishte diku rreth 1.31 gigavat orë energji elektrike, raporton Kosovo.Energy.

Kosova importoi rreth 1311 GWh dhe eksportoi 835 GWh energji elektrike në vitin 2021

Lexo më shumë

Edhe përkundër investimeve të realizuara deri më tani në rrjetin e shpërndarjes, humbjet e energjisë elektrike ende mbeten të larta dhe paraqesin problem shqetësues për sektorin e energjisë elektrike.

Humbjet po ashtu kanë ndikim negativ edhe në furnizimin e konsumatorëve dhe qëndrueshmërinë financiare të operatorëve të furnizimit dhe shpërndarjes, si dhe tërë sektorin e energjisë.

Kostoja e humbjeve të energjisë elektrike deri në nivelin e përcaktuar nga rregullatori mbulohet nga tarifa e konsumatorëve.

/Kosovo.Energy