Search

Kosova importoi rreth 1311 GWh dhe eksportoi 835 GWh energji elektrike në vitin 2021

28 Prill, 2022


Për të plotësuar mungesën e energjisë sidomos gjatë kohës së pikut dhe sezonit të dimrit, Kosova ka importuar 1,311,461 MWh orë energji elektrike gjatë vitit 2021, raporton Kosovo.Energy.

Në vitin 2021 në Kosovë janë importuar 472,252 MWh më shumë energji elektrike se në vitin 2020, kur janë importuar 839,209 MWh, thuhet në raportin e fundit vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Më së shumti rrymë Kosova ka importuar gjatë stinës së dimrit, e posaqërisht në muajin mars të vitit 2021.

Vetëm gjatë katër muajve të stinës së dimrit, apo në muajt Dhjetor-Mars, Kosova ka importuar rreth 742,785 MWh energji elektrike, vlerë kjo për rreth 30% më e lartë se vlera e të gjitha importeve në pjesën tjetër të vitit, raporton Kosovo.Energy.

Çmimi mesatar i importit të energjisë elektrike me kontrata komerciale gjatë vitit 2021 ka qenë 119.29 €/MWh.

Krahasuar me vitin e kaluar kur çmimi ishte 51.47 €/MWh, këtë vit çmimi mesatar i importit është më i lartё për 67.82 €/MWh, thuhet në raportin e Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Importi në vitin 2021 është rritur për 36.39% më shumë se vitin paraprak, ndërsa në krahasim me vitin 2020, eksporti ka pësuar rënie për 34.92%.

Kosova eksportoi rrymë me çmim më të ulët atëherë kur nuk kishte shumë nevojë për të as tregu

E pikërisht në muajt kur Kosova kishte importuar më shumë rrymë, eksportet e energjisë elektrike ishin minimale, ndërsa shënojnë rritje në muajt e verës, kur edhe kërkesa për rrymë në Kosovë është e ulët, raporton Kosovo.Energy.

Çmimi mesatar i eksportit të energjisë elektrike me kontrata komerciale gjatë vitit 2021 ka qenë 76.70 €/MWh.

Përveç eksportit me kontrata, gjithashtu është eksportuar edhe një sasi e energjisë elektrike si shkëmbim (energji për energji) në mes të KEK dhe KESH. Sasia e energjisë së eksportuar si shkëmbim është 706 MWh, prandaj gjithsej eksporti i energjisë elektrike për vitin 2021 ka qenë 834,638 MWh, thuhet në raportin e Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Kosova ka eksportuar energji elektrike kryesisht kur kishte teprica, apo kur sasia e energjisë elektrike në vend ishte dukshëm më e lartë.

Tepricat e energjisë elektrike janë kryesisht në orët e natës (në kohën e tarifës së ulët), kur edhe në sistemet rajonale paraqiten teprica, gjë që ndikon që çmimet e eksportit të jenë dukshëm më të ulëta se sa çmimet e importit, ka sqaruar ZRRE në raport.