Search

Në Berat në 6000 metra thellësi janë gjetur rezerva cilësore të naftës

23 Gusht, 2023


Leximi i këtij artikulli zgjatë: 4 minuta

Teksa inspektoi zonën ku kryen shpimet për nxjerrjen e naftës, kryemisitri i Shqipërisë Edi Rama thotë se pas një punë 10-vjeçare shpimi ka arritur në 6002 metra në thellësi të tokës dhe tashmë sipas kreut të qeverisë është prekur një rezervë e madhe naftë e cilësisë së lartë.

Kryeministri shpjegon se po përgatitet testi vendimtar i qëndrueshmërisë së presionit të nëntokës për nxjerrjen e saj lart dhe thekson se nëse do ketë sukses do jetë një kapërcim historik për ekonominë e vendit.

“MIRËMËNGJESI dhe nga vizita në kantierin e një shprese të madhe për Shqipërinë 2030, ku pas një pune titanike thuajse dhjetëvjeçare dhe arritjes në 6002 metra në thellësi të tokës, është prekur një rezervë e madhe gazi e nafte e cilësisë më të lartë, në ndërkohë që po përgatitet testi vendimtar i qëndrueshmërisë së presionit të nëntokës për nxjerrjen e saj lart, çka në rast suksesi do të thotë një kapërcim historik në jetën ekonomike të vendit, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Aktualisht aktiviteti i punës në kantier është përqendruar në vlerësimin e pusit Shpirag 5, si pjesë e Programit Vlerësues të Bllokut 2/3. Gjeologjia e kësaj fushe naftëmbajtëse është një nga më të vështirat.

Kryeministri Rama u njoh në mënyrë të detajuar nga drejtuesit e kompanisë si dhe ekspertët e terrenit mbi ecurinë e deritanishme të punimeve. “E dimë që nafta është aty, por duhet të sigurojmë rrjedhën e vet.

Ajo çfarë kemi bërë, është që kemi parë vende të ndryshme në Shqipëri për të përdorur dhe ekspertizën tonë ndërkombëtare, për të parë se ku qëndron nafta, si do të sigurohet fluksi.” – shpjegoi ndër të tjera menaxheri zhvillimor në terren.

“Kjo është salla e kontrollit. Ky vend, kjo kullë ku po punojnë njerëzit tani është diçka e re, është diçka, e cila po përdoret në Shqipëri, që merr pjesë të naftës dhe i shndërron në gaz. Kjo është një teknikë e ndërtuar në Zvicër, për herë të parë po provohet në Shqipëri.” – u shpreh ai.

Ndërkohë, Rama mori edhe një dhuratë të veçantë, nga përfaqësuesit e kompanisë Shell. Kryeministri mori dhuratë një kokë sonde, me të cilën janë kryer gërmimet për nxjerrjen e naftës.
//Media Ndërtimi.Info