Search

Ministrja Rizvanolli merr pjesë në takimin e 19-të ministror të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë

01 Dhjetor, 2021


Beograd, 30 nëntor, 2021 – Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli ka marrë pjesë në takimin e 19-të ministror të organizuar nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë.

Fokusi i takimit të këtij viti ka qenë në Paketën e Energjisë së Pastër 1 dhe 2 e cila është miratuar si zhvillim pas reformave të tregut të gazit dhe energjisë elektrike të orientuara drejt tranzicionit në energji të gjelbër. Gjatë takimit gjithashtu është miratuar Udhërrëfyesi i Dekarbonizimit me elemente të “Green Deal” i cili synon të transferojë Komunitetin e Energjisë në Komunitet të Energjisë dhe Klimës gjatë dekadës së ardhshme.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja Rizvanolli ka ri-cekur që Republika e Kosovës e vlerëson procesin që synon reformimin e Traktatit dhe mbështet shumicën e amandamenteve të propozuara. Megjithatë, ajo ka cekur që përfaqësimi formal dhe adekuat është i rëndësishëm për të shmangur çfarëdo pasigurie ligjore të mundshme sa i përket të drejtave dhe përgjegjësive.

Andaj, ministrja Rizvanolli ka kërkuar që të ndërrohet emri nga UNMIK në Republika e Kosovës në Traktat pasi Qeveria e Kosovës është palë ligjore e të gjitha kërkesave të Traktatit që nga 17 shkurti 2008. Republika e Shqipërisë dhe ajo e Maqedonisë së Veriut kanë shprehur përkrahjen e tyre për Republikën e Kosovës në këtë çështje.

Tutje, Ministrja Rizvanolli ka hapur çështjen e linjës interkonektive mes Kosovës dhe Serbisë para sekretariatit duke kërkuar që të veprojnë në përpuethshmëri me Rregullat për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve nga institucionet relevante të Komunitetit të Energjisë.

Ministrja ka cekur që mungesa në qasje të kapaciteteve në kufi me Serbinë është duke limituar tregtinë dhe duke shkaktuar implikime financiare për tregtarët, e që në mënyrë serioze ka dëmtuar e kufizuar transaksionet tregtare në Evropën Juglindore. Republika e Shqipërisë, e cila gjithashtu ndikohet nga kjo çështje, ka shprehur përkrahjen e saj.