Search

Ministrja Rizvanolli konfirmon rritjen e konsumit në veri, 13.7% rritje në vitin 2020 krahasuar me vitin paraprak

24 Qershor, 2021


Në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës që është mbajtur sot, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se konsumi i energjisë elektrike në pjesën veriore të Kosovës ka pësuar rritje substanciale tre vitet e fundit.

‘Prej momentit të pranimit të detyrës ka qenë shqetësues fakti që konusmi i energjisë elektrike në pjesën veriore të Kosovës gjatë tri viteve të kaluara ka pësuar rritje substanciale. Më saktësisht, në vitin 2019 ka pasur rritje prej 8.1% krahasuar me vitin paraprak, ndërsa në vitin 2020 13.7% krahasuar me vitin paraprak’, ka thënë Ministrja Rizvanolli.

Ajo ka thënë se për shkak të mos-pagesës së faturave të rrymës në veri, edhe konsumi nga vetë qytetarët atje është bërë në mënyrë të papërgjegjshme.

‘Gjithashtu është me rëndësi të kuptohet që konsumi në këtë pjesë të Kosovës nuk trajtohet si shërbim universal dhe si tërësi i nënshtrohet cmimit të tregut. Pjesa më e madhe e kësaj energjie merret nga importi në tregun rajonal, ku cmim në këtë treg ka pasur rritje në krahasim me vitet paraprake’, ka thënë Ministrja, ndërsa ka thesuar se rritja e çmimit të rrymës së importuar është ndikuar edhe nga bllokimi komerical i linjës interkonektive Kosovë – Serbi.

Në fund të diskutimit të saj, ajo ka thënë se Qeveria është e përkushtuar të zgjidhë problemin 20-vjeçar të mos-pagesës së rrymës në veri.

‘Jemi të përkushtuar të sigurohemi sa më shpejtë që është e mundur që secili biznes dhe qytetar në Republikën e Kosovës të mbajë përgjegjësinë dhe të paguaj cmimin për energjinë elektrike’, ka thënë Ministrja Rizvanolli.