Search

Ministrja Rizvanolli: Kompanitë deshën të tërhiqen nga ankandi solar për shkak të Banjskës

05 Shkurt, 2024


Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se gjashtë kompani kanë dorëzuar ofertat e tyre për ndërtimin e parkut me energji solare, të parit në Kosovë që është prej 100 megavatesh.

Ajo ka shpjeguar procedurën e mëtejme që do të ndiqen për zgjedhjen e ofertuesit më të përshtatshëm për Ankandin e Parë Solar Foltovoltaik.

“Gjatë javëve në vijim komisioni vlerësues i përbërë nga anëtarët e Ministrisë së Ekonomisë, MINT, ZRRE si dhe KOSTT do të vlerësojë ofertat kundër kërkesave minimale financiare, profesionale, teknike, siç janë të përcaktuar në dosjen e ankandit. Në fazën e dytë do të organizohet një ankand elektronik ose e-ankand, ku kompanitë ose koncersiumet e kualifikuara do të kenë mundësi të ulin çmimin e tyre fillestar duke garuar me njëra tjetrën dhe në fund ofertuesi që ka dorëzuar çmimin më të ulët në përmbyllje të e-ankandit të fazës së dytë do të shpallet fitues”, ka thënë ajo.

Afati për aplikim ishte shtyrë më herët, e Rizvanolli ka thënë se ka pasur arsye të ndryshme, një prej të cilave sulmi në Banjskë.

“Hera e parë ka qenë veçanërisht të them problematike sepse ka qenë mesi i verës, andaj ka qenë e natyrshme që shumë kompani e kanë pasur të pamundur të aplikojnë, herën e dytë gjithashtu e kemi parë që ka kompani të cilat janë formuar më vonë dhe kanë pasur interesim të aplikojnë. Herën e tretë ka qenë veçanërisht sulmi në Banjskë që ka qenë 10 ditë para përmbylljes së afatit të ofertave”, ka thënë ajo.

Rizvanolli ka theksuar se ka pasur informata se disa kompani që kanë pasur plan të investojnë, kanë dashur të tërhiqen për shkak të pasigurisë që kanë ndjerë pas rastit në Banjskë.

“Ne kemi pasur informata që disa kompani që kanë pasur plan të investojnë, të planifikojnë të tërhiqen për shkak se ka krijuar pasiguri dhe për të mos rrezikuar që kompanitë që dëshirojnë të investojnë të tërhiqen për shkak të pasigurisë, perceptimit të pasigurisë, kemi dashur që të lëmë një afat shtesë në mënyrë që t’i sigurojmë që Kosova është një vend i sigurt për investime dhe mendoj që rezultati që e kemi sot dëshmon që kemi marrë vendimin e duhur me këtë rast”, ka potencuar ajo.