Search

Ministria e Ekonomisë hapë thirrjen e dytë për subvencionim të efiçiencës së energjisë për qytetarët

November 18, 2022


Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se nga sot është hapur thirrja e dytë për subvencionimin e paisjeve të energjisë efiçiente.

Ajo ka thënë se në rundin e dytë janë shtuar edhe disa kategori tjera, pas ankesave dhe sugjerimeve që kanë marrë komisionet nga qytetarët.

Sipas saj, në rundin e parë janë subvencionuar 2.228 qytetarë në vlerë të 1.4 milion eurove.

Rundi i parë ka nisur më 6 tetor dhe ka përfunduar më 7 nëntor.

Edhe rundi i dytë, sikurse i pari, ka dy faza. E para nis më 18 nëntor dhe përfundon më 25 nëntor, ndërsa e dyta përfundon më 9 dhjetor.

Aplikimi bëhet online në platformën eKosova.

Sipas statistikave, më së shumti energji elektrike në Kosovë shpenzon sektori i amvisërisë, me rreth 40 për qind të konsumit të përgjithshëm.

Kush mund të aplikojë në rundin e dytë?

Sikur edhe në rundin e parë, edhe në të dytin do të subvencionohen qytetarët që pajisen me pompë termike, pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë (kondicioner/ klimë eficiente), kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket) dhe stufa individuale me biomasë.

Në rundin e dytë u është mundësuar subvencionimi edhe përfituesve të skemës sociale në deri 60 për qind të vlerës, ose jo më shumë se 550 euro.

Rizvanolli ka thënë se Ministria e Ekonomisë është duke bashkëpunuar me qendrat sociale nëpër komuna, ashtu që t’iu ofrohet ndihmë përfituesve të skemave sociale për të aplikuar për ndihmën.

Në rundin e dytë janë përfshirë edhe nënat vetushqyese.

Për blerje të këtyre pajisjeve, ato do të mund të fitojnë deri në 90 për qind të shumës, por jo më shumë se 560 euro.

Kliko këtu për të mësuar detaje dhe mënyrat e aplikimit.

/REL