Search

Me pompën termike të përfituar nga programi SEEK, vushtrriasi shpenzon 60% më pak për ngrohje

August 05, 2022


Me pompën termike të përfituar nga programi SEEK, Artan Krasniqi nga Vushtrria ka shpenzuar 60% më pak për ngrohje në dimrin që shkoi.

Nga 1200 Euro të shpenzuara për dru në sezonë, ai tash shpenzon jo më shumë se 500 Euro, thuhet në postimin e Fondacionit të Mijëvjeçarit në Kosovë.

“Përveç shpenzimeve, pompa termike i kursen atij dhe familjes kohë dhe mund duke i ofruar jo vetëm ngrohje por edhe komoditet dhe rehati”, thuhet në postim.

Ndryshe, përmes projektit SEEK të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit me bazë në SHBA, Fondacioni i Mijëvjeçarit ka investuar në efiçencë të energjisë të 2,000 shtëpive dhe banesave në mbarë Kosovën.

Qëllimi i këtyre projekteve të financuara nga MCC ishte zbritja e shpenzimeve të energjisë elektrike, duke bërë investime në izolim termik, ndërrimin e dyerve dhe dritareve, instalimin e kolektorëve diellor si dhe instalimin e sistemit efficient të ngrohjes.

Kosova konsumon energji tri herë më shumë se mesatarja e Evropës

Lexo më shumë

Ndryshe, rritja e konsumit të energjisë elektrike për ngrohje gjatë dimrit ndikon në rritjen e jashtzakonshme të importeve, pasi prodhimi i rrymës në vend nuk mund të mbulojë kërkesën.

Rritja e importeve, sidomos tani kur çmimet e rrymës në treg kanë arritur në vlera marramendëse, ka ndikuar në shtrenjtimin e energjisë elektrike edhe në Kosovë, pasi vendi importon rrymë për të mbuluar kërkesën dhe për të siguruar furnizim të rrjedhshëm me energji elektrike.

Në anën tjetër, edhe pse konsumi per capita i energjisë elektrike në Kosovë vazhdon të jetë dukshëm më i ulët se standardet e përcaktuara nga OECD, të dhënat tregojnë se Kosovarët konsumojnë deri tri herë më shumë rrymë se mesatarja e Evropës, për të njejtin funksion.

Për shkak të vështirësisë së ballafaqimit me rritjen e konsumit por edhe të çmimit të rrymës së importuar, Kosova ka shpallur masat emergjente për energji elektrike, të cilat janë aprovuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.