Search

Masat e energjisë për shtëpitë individuale, FKEE nis shqyrtimin e listës së pritjes

14 Qershor, 2024


Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) njofton se sot më 14 qershor fillon shqyrtimin e listës së pritjes për aplikantët që kanë shprehur interesimin vitin e kaluar për të përfituar nga subvencionimi i investimeve për implementim të masave të energjisë efiçiente në shtëpitë individuale.

Në mënyrë që procesi të jetë sa më i shpejtë, efikas dhe transparent, njoftohen të gjithë aplikantët në listën e pritjes të kontrollojnë postën e tyre elektronike në të cilën më 14 qershor 2024, do të pranojnë njoftimin dhe kërkesën që të shprehin interesimin e tyre për të vazhduar tutje me procesin.

Njëkohësisht, njoftohet se mungesa e ndonjërës nga informatat e kërkuara në email, do të rezultojë me diskualifikim të kërkesës për trajtim të mëtutjeshëm.
FKEE pret konfirmime nga të gjithë aplikantët e listës së pritjes, nga e premtja e datës 14 qershor 2024 deri të dielën e datës 23 qershor 2024, thuhet në njoftimin e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.

Ndryshe, thirrja fillestare për përfitim nga subvencionimi i mundësuar nga BE dhe Qeveria e Kosovës, ka qenë aktive nga 8 gusht 2023-25 shtator 2023.

Në bazë të kushteve të thirrjes është thënë se: “Në rast se aplikanti, për çfarëdo arsye, nuk ka gjetur një auditor të certifikuar të energjisë për të bërë auditimin e thjeshtëzuar të energjisë, ai aplikacion do të vendoset në listë të pritjes, ndërsa shqyrtimi i tij i mëvonshëm do të merret parasysh nëse plotësohen dy kushte: buxheti i destinuar për thirrjen ende nuk është shpenzuar dhe kontraktimi i Auditorëve të Energjisë bëhet nga ana e FKEE-së.
Në mënyrë që të përmbushet ky kusht i thirrjes, FKEE fton të gjithë aplikantët në listën e pritjes, e që janë rreth 1000 sosh, të njoftojnë FKEE-në nëse ende janë të interesuar për të përfituar nga subvencionimi i implementimit të Masave të Efiçiencës së Energjisë (MEE).

Për të gjithë të interesuarit, rikujojnë se kriteret që kërkohen për t’u kualifikuar për subvencionimin, janë:

  • Shtëpia të jetë e banueshme në 21 nga 24 muajt e fundit (si kriter bazë), e që ka një konsum energjie të energjisë elektrike prej të paktën 250 kWh (kilovat/orë) në muaj;
  • Gjithashtu, duhet të plotësohet së paku njëri nga kriteret si në vijim:

a) shtëpia nuk ka termoizolim ose është nën kërkesat minimale teknike (trashësia e izolimit të murit të jashtëm është nën 8 cm, termoizolimi i kulmit nën 10 cm, dhe shtëpia ka dyer e dritare jo efikase); ose
b) shtëpia është pjesërisht e izoluar, por një ose më shumë nga masat e pikës a) nuk i plotësojnë kërkesat minimale.
Në bazë të Rregullores së MESPI për kërkesat minimale të performancës energjetike të ndërtesave, izolimi termik i mureve të jashtme mbetet një kriter i detyrueshëm në të gjitha rastet, e cila nënkupton se nëse aplikanti nuk do të investojë në termoizolim, masat e tjera nuk do të miratohen.