Search

Maqedonia e Veriut: Qytetarët para një goditjeje të madhe çmimi, energjia elektrike mund të rritet me 20 për qind

01 Dhjetor, 2021


Është gjithnjë e më e sigurt se qytetarët e Maqedonisë së Veriut nga viti i ardhshëm do të paguajnë çmim dukshëm më të lartë të energjisë elektrike, pasi kompania shtetërore ESM ka përgatitur dhe dorëzuar në Qeveri planin e prodhimit për vitin 2022 dhe planin financiar.

Raportet theksuan se çmimi i prodhimit të energjisë elektrike, i cili është një nga kriteret kryesore për përcaktimin e çmimit për familjet, nga 36 euro që janë aktualisht, pritet të rritet në 45 euro për megavat/orë, që është një rritje prej rreth. 20 për qind.

Kompania shtetërore në letrën drejtuar Qeverisë jep përllogaritje, çmime dhe sasi të ndryshme – dhe çfarë do të thotë secila prej tyre financiarisht, shkruan TV24.

Drejtori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit të Energjisë Elektrike të Maqedonisë së Veriut (MEPSO), Kushtrim Ramadani, thotë se do të kishim kalkulime të sakta në ditët në vijim, por edhe pjesëmarrja e MEPSO-së në çmimin final është minimale.

Ndërkaq, sipas kreut të Komisionit Rregullativ për Energji, Marko Bislimovski, ende është herët të flitet nëse do të rritet çmimi i energjisë elektrike dhe sa do të jetë rritja eventuale e çmimit. Ai thotë se vendimi përfundimtar do të merret pas marrjes së përllogaritjeve nga kompanitë.

Maqedonia është zyrtarisht në krizë energjetike që nga 9 nëntori. Kompanive deri më tani u janë injektuar 65 milionë euro për të përballuar shpenzimet që kanë bërë në periudhën e kaluar. Autoritetet njoftuan se nëse është e nevojshme, do të ketë ndihmë financiare shtesë.

Të gjithë e shohin shpëtimin në aktivizimin e kapaciteteve vendore, të cilat do ta rrisnin prodhimin vendor – i cili në periudhën e kaluar është në nivel vërtet të ulët.

Vendi po përballet me konsum më të madh se sa prodhim, për çka MEPSO prej disa muajsh po e tërheq pandërprerë energjinë elektrike nga rrjeti evropian. Pra vetëm për muajin tetor ka marrë një faturë prej 16,5 milionë euro.

REK Oslomej duhet të fillojë punën të mërkurën, ndërsa javën e kaluar Qeveria e ka porositur ESM-në që të blejë naftë për TC Negotinë – pas së cilës ky termocentral do të fillojë me punë.

//slobodenpecat.mk