Liberalizimi i tregut të energjisë, Qeveria kërkon mobilizimin e bizneseve dhe furnizuesve
June 02, 2025

Me kërkesë të Qeverisë, Këshilli Kombëtar për Ekonomi dhe Investime ka mbajtur një takim me përfaqësues të bizneseve që pritet të dalin në tregun e hapur të energjisë elektrike, si dhe me pesë kompani të licencuara për furnizim me energji.
Në takim morën pjesë ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, drejtori i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Ymer Fejzullahu, dhe përfaqësues të odave ekonomike në vend.
Kompanitë e licencuara për furnizim me energji deklaruan se janë aktive në treg dhe të gatshme të ofrojnë kontrata për biznese individuale apo grupe të organizuara. Sipas tyre, disa oferta tashmë janë dorëzuar, ndërsa njëra prej kompanive ka nënshkruar kontrata me biznese të organizuara në grup.
Furnizuesit thanë se do të ofrojnë kontrata komerciale me çmime variabile – të përcaktuara në bazë të kostos së tregut plus një marzhë të furnizuesit – ndërsa tre prej tyre janë të gatshëm të ofrojnë edhe kontrata me çmim fiks. Ata nënvizuan se organizimi i bizneseve në grupe për të negociuar ofertat mund të sjellë përfitime në formë të çmimeve më të ulëta. Gjithashtu, u theksua se furnizimi me energji vjen nga burime të ndryshme, përfshirë bursat ALPEX dhe HUPX.
Ministrja Rizvanolli bëri thirrje që bizneset të mobilizohen dhe të organizohen në mënyrë që të përfitojnë nga ofertat më të mira të mundshme në tregun e liberalizuar. Ajo kërkoi gjithashtu nga ZRrE që të përshpejtojë dhe lehtësojë procesin e informimit, duke siguruar transparencë dhe qasje të shpejtë në të dhënat e nevojshme për vendimmarrje të informuar.
/Telegrafi