Search

Kuvendi nuk e miraton rezolutën për uljen e akcizës dhe heqjen e TVSH-së për naftën

April 14, 2026


Me 34 vota për, 49 kundër dhe 7 abstenime, Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar një rezolutë që kërkonte uljen e akcizës dhe heqjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për naftën.

Për këtë rezolutë të propozuar nga subjekti opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe e mbështetur nga partitë e tjera opozitare, Kuvendi debatoi më 3 prill, por votimi për të ishte shtyrë në mungesë të kuorumit.

Çmimet e naftës në mbarë botën, përfshirë edhe në Kosovë, janë rritur që kur ka nisur konflikti mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit me Iranin më 28 shkurt.

Gjatë debatit për këtë rezolutë, nga kabineti qeverisës kundërshtuan kërkesat e partive opozitare për uljen e akcizës dhe heqjen e TVSH-së, me kryeministrin, Albin Kurti që tha se në të kaluarën kur është hequr apo zvogëluar TVSH-ja nuk ka pasur asnjë efekt.

Në tekstin e rezolutës kërkohej: ulja e akcizës nga 36 centë në litër në 20 centë në litër derisa të stabilizohen çmimet në bursat ndërkombëtare dhe ulja e përkohshme e TVSH-së në karburante nga 18 në 8% deri në stabilizim të çmimeve.

Sipas Ministrisë së Tregtisë, nafta në Kosovë më 10 prill mund të shitet me çmimin më lartë prej 1.89€

Rreth një javë pas nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme, Kosova vendosi masa mbrojtëse për çmimin e naftës.

Sipas vendimit, marzha tregtare maksimale e lejuar për shitje me shumicë do të jetë deri në 2 centë për litër, ndërkaq me pakicë deri në 12 centë për litër.

/Telegrafi