Kushtetuesja merr vendim për projektin Skavica: Ka shkelje, nuk u informuan banorët
January 31, 2024

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar projektin e Skavicës, vetëm sepse banorët e zonës nuk ishin informuar dhe nuk ishin pyetur për të dhënë dakordësinë e tyre për ndërtimin e digës mbi lumin Drini i Zi. Vendimi është marrë sot unanimisht nga ana e trupës gjykuese.
Që prej dorëzimit të dosjes, Gjykata Kushtetuese shqyrtoi dosjen dhe doli në vendimin se banorët janë cënuar në të drejtën e informimit për çështjet mjedisore. Po ashtu, theksuan se vendimi sjell ndikim edhe në çështjet e mjedisit dhe për mënyrën sesi do të ndikojë ndërtimi i digës në zonë.
Megjithatë, të gjitha këto parregullsi, duke qenë se ligji është ende në fazën e parë (atë të projektimit) mund të rishikohen dhe të riparohen. Por duhet që të ndërmerren hapa konkretë për përfshirjen e publikut në informacion dhe vendimmarrje.

Hidrocentrali i Skavicës: Pranimi i ankesës nga Gjykata Kushtetuese rikthen shpresën tek mjedisorët
“Gjatë procesit gjyqësor nuk u provua se Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave, para miratimit të ligjit, të kenë zbatuar të drejtën e informimit për gjendjen e mjedisit dhe për mbrojtjen e tij, të garantuar nga neni 56 i Kushtetutës. Po kështu, këto subjekte nuk kanë kryer procese konsultative me publikun dhe nuk kanë garantuar pjesëmarrje efektive që në fazën e hershme të hartimit të projektligjit, ku të gjitha alternativat të ishin të hapura dhe komuniteti i zonës (me statusin e publikut të ndikuar) të mund të merrte pjesë sipas detyrimeve të Konventës së Aarhus-it,”-thekson në vendimin e saj Gjykata.
Projekti Skavica
Një hidrocentral me kapacitet instalimi 210 megavatë, që planifikohet të ndërtohet në Skavicë të Kukësit, në lumin Drini i Zi, rrezikon më shumë se 30 fshatra në Dibër, zona kufitare me Skavicën.
Ndërtimi Skavicës, sipas specialistëve, i jep fund problemit të përmbytjeve të zonës së nën Shkodrës. Ndërsa kryeministri thotë se rrit edhe potencialet energjetike të vendit.
“Skavica nuk do ta bëjë Shqipërinë mini super fuqi energjetike. Nuk është konkurrente e centralit bërthamor që do ndërtoj në Shkodër, por Skavica e bën Shqipërinë një fuqi dinjitoze energjetike”.
Projekti i parë për ndërtimin e Skavicës është i 1963, ndërsa të gjitha qeveritë pas 90-s e kanë vendosur si prioritet. Për projektin, bashkëshortja e ish-diktatorit Enver Hoxha, Nexhmije Hoxha tha se projekti ishte gati por për 2 arsye nuk u vendosur kurrë në jetë.
E para kishte lidhje me tokat bujqësore që do të mbeteshin nën ujë, ndërsa e dyta me kufinjtë. Ndërtimi i HEC-it, do të dobësonte kufirin me Jugosllavinë.
Projekti i Qeverisë Shqiptare për ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës gjeti mbështetjen e Qeverisë Amerikane, pasi mund të kushtojë midis 308 dhe 510 milionë euro. Por projekti ka hasur në kundërshtime të forta të organizatave të mjedisit që e shohin atë si rrezik për biodiveristetin në zonë.
Andrey Ralev, një aktivist i biodiversitetit shkroi në faqen e organizatës mjedisore ‘Bankwatch’ në korrik të këtij viti se diga mbi Drin ishte “gjëja e fundit që i duhej Shqipërisë”, ndërsa arsyetoi se ndërtimi do të zhdukte përfunditmisht Rreqebullin e Ballkanit. Nëse ndërtohet, një pjesë e faunës së egër rrezikon të zhduket dhe bashko më atë edhe 70 për qind e bimëve autoktone medicionale dhe bujqësore.
Njoftimi i plotë
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në datat 12.12.2023 dhe 10.01.2024 mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen nr. 6 (Sh) 2023 të Regjistrit Themeltar, me kërkues: shoqata “Kundërshtimi ndaj Digës së Skavicës”, shoqata “Për mbrojtjen e pronave dhe mjedisit të pellgut të Drinit të Zi” dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, me objekt: “Shfuqizimi i ligjit nr. 38/2021, datë 23.03.2021 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe ekzekutimin e kontratës me shoqërinë “Bechtel International Inc.”, për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit. Shfuqizimi i vendimit nr. 485, datë 30.07.2021 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e kontratës së fazës së parë “Kontratë për shërbime teknike – projekti hidroenergjetik i Skavicës” ndërmjet KESH sh.a. dhe Bechtel Limited”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit. Pezullimi i zbatimit të ligjit nr. 38/2021, datë 23.03.2021 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe ekzekutimin e kontratës me shoqërinë “Bechtel International Inc.”, për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës” dhe të vendimit nr. 485, datë 30.07.2021 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e kontratës së fazës së parë “Kontratë për shërbime teknike – projekti hidroenergjetik i Skavicës” ndërmjet KESH sh.a. dhe Bechtel Limited”, derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi”.
Gjykata Kushtetuese, e mbledhur sot më 30.01.2024, pasi mori në shqyrtim kërkesën dhe pretendimet e parashtruara nga kërkuesit, si dhe prapësimet e subjekteve të interesuara, vlerësoi se: Gjykata ka juridiksion për të shqyrtuar pajtueshmërinë me Kushtetutën të ligjit nr. 38/2021 dhe nuk ka juridiksion për vendimin nr. 485, datë 30.07.2021 të Këshillit të Ministrave, pasi ky vendim nuk përbën akt me karakter normativ. Duke pasur parasysh se ligji e rregullon projektin e Skavicës në dy faza dhe faza e dytë fillon vetëm nëse finalizohet faza e parë, Gjykata vlerësoi se kërkuesit legjitimohen vetëm për pretendimin për cenimin e së drejtës së informimit për çështjet mjedisore.
Në lidhje me themelin, Gjykata vlerësoi se ligji nr. 38/2021 ka të bëjë dhe sjell ndikim, ndër të tjera, edhe në çështjet e mjedisit. Gjatë procesit gjyqësor nuk u provua se Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave, para miratimit të ligjit, të kenë zbatuar të drejtën e informimit për gjendjen e mjedisit dhe për mbrojtjen e tij, të garantuar nga neni 56 i Kushtetutës. Po kështu, këto subjekte nuk kanë kryer procese konsultative me publikun dhe nuk kanë garantuar pjesëmarrje efektive që në fazën e hershme të hartimit të projektligjit, ku të gjitha alternativat të ishin të hapura dhe komuniteti i zonës (me statusin e publikut të ndikuar) të mund të merrte pjesë sipas detyrimeve të Konventës së Aarhus-it. Për sa më lart, Gjykata vlerësoi se, duke qenë se ligji ndodhet akoma në fazën e parë të zbatimit të tij, shkeljet e konstatuara para miratimit të ligjit mund të riparohen ende përmes ndërmarrjes së hapave konkretë për përfshirjen e publikut në informacion dhe vendimmarrje.
Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Gjykata, njëzëri,
Vendosi:
Konstatimin e shkeljes së të drejtës për informim për gjendjen e mjedisit dhe mbrojtjen e tij, të garantuar nga neni 56 i Kushtetutës, në procedurat e miratimit të ligjit nr. 38/2021. Urdhërimin e autoriteteve publike për të riparuar shkeljen e konstatuar dhe për të garantuar të drejtën për informim gjatë fazës së parë të zbatimit të ligjit nr. 38/2021. Detyrimin për marrjen parasysh në vijim të rezultateve të procesit të informimit për mbrojtjen e mjedisit, për aq sa është e mundur, në zbatim të nenit 8 të Konventës së Aarhusit. Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.