Kundër daljes në treg të hapur: Sot protestojnë bizneset duke bllokuar rrugë në hyrje dhe dalje të Prishtinës
May 29, 2025

Oda Ekonomike e Kosovës proteston sot, duke shprehur kështu pakënaqësitë e tyre lidhur me procesin e daljes së bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Kryetari i OEK, Lulzim Rafuna tha se protesta e sotme është vetëm hapi i parë, transmeton Telegrafi.
“Do të ketë mbyllje të hyrjeve dhe daljeve të qytetit nga ora 10:00 deri në 12:00 të Prishtinës, si hap i parë për të shprehur pakënaqësitë tona për dalje në tregun e lirë. Jemi munduar t’i japim rrugë dialogut, por nuk kemi hasur… Të enjten është hapi i parë, protestat nuk do të ndalen. Shpresojmë të reflektojnë, kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve, me këtë proteste jo vetëm po e mbrojmë biznesin por edhe qytetarët, që të mos ulët standardi jetësor”, u shpreh Rafuna.
Ai po ashtu tha se është krijuar monopol, pasi operon vetëm KEDS.
“Nuk jemi kundër daljes së tregut të lirë, por na duhet një tranzicion, nuk mundemi brenda muaji”, tha ai, duke shtuar se iu nevojitet rreth 1 vit për të bërë përgatitjet e duhura.
Rafuna potencoi se kanë marrë leje nga policia dhe se kjo është protestë vetëm e bizneseve.
Sipas njoftimit, protesta do të zhvillohet në formë të një qëndrimi të qetë dhe përfshin bllokimin e pjesshëm të disa rrugëve kryesore hyrëse në kryeqytet, përmes vendosjes së automjeteve të rënda nga kompanitë pjesëmarrëse.
Qytetarët ftohen të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë dhe të kontribuojnë për një zhvillim të qetë të protestës dhe ruajtjen e rendit e sigurisë publike.
Qeveria nuk përkrah këtë iniciativ
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka shprehur mbështetjen e palëkundur të Qeverisë për prodhuesit vendorë në procesin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, duke kritikuar ashpër Odën Ekonomike të Kosovës për, siç tha ajo, përhapje të panikut dhe mbrojtje të interesave të një grupi të vogël të bizneseve.
Rizvanolli, në një postim në Facebook, pas takimit me prodhues dhe përfaqësues të odave ekonomike, Rizvanolli theksoi se së bashku me kryeministrin në detyrë Albin Kurti kanë riafirmuar zotimin për të përkrahur bizneset vendore në sfidat që sjell ky tranzicion.
“Ne do të qëndrojmë bashkë me prodhuesit vendorë, si gjithmonë, në çdo sfidë që sjell liberalizimi i tregut”, u shpreh Rizvanolli.
Ajo akuzoi OEK-un për sjellje të papërgjegjshme dhe përpjekje për të bllokuar procesin me metoda jo konstruktive, përfshirë thirrjen për bllokim rrugësh.
Ajo i akuzoi për përhapje të frikës me “parashikime apokaliptike” për inflacion dhe humbje të vendeve të punës, duke e cilësuar këtë si një përpjekje për të mbrojtur interesat e 1%-shit më të fuqishëm të bizneseve në dëm të pjesës tjetër të ekonomisë.
“Kjo nuk është zgjidhje – kjo është zhvendosje e kostove të energjisë nga kompanitë e mëdha tek familjet dhe ndërmarrjet më të vogla”, shtoi ajo.
Ministrja u bëri thirrje përfaqësuesve të OEK-ut që të ndalojnë së barturi barrën tek qytetarët dhe të bashkëpunojnë me institucionet në ndihmë të sektorit prodhues. Ajo përfundoi me një apel të qartë: “Nëse insistojnë të lobojnë për interesat e një grupi të vogël në kurriz të shumicës, le ta shpjegojnë këtë hapur tek 99%-shi i bizneseve të tjera të vogla”.
/Telegrafi