Kryeministri Kurti në World Affairs Forum veçon parkun e erës ‘Selac Windpark’ si sukses të Kosovës në tranzicionin energjetik
24 Maj, 2022

Kryeministri i vendit Albin Kurti në kuadër të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishte i ftuar si folës në World Affairs Forum.
Me theks të veçantë, stabiliteti institucional dhe qeverisja demokratike në Republikën e Kosovës u theksuan nga kryeministri në fjalën e tij.
Më tutje, ai veçoi renditjen e Kosovës në vendin e parë sa i përket sundimit të ligjit në Ballkan, sipas World Justice Project, ngritjen për 17 vende sa i përket luftës kundër korrupsionit sipas Transparency International dhe ngritjen për 17 vende më lart sa i përket lirisë së mediave sipas Reporterëve pa Kufij.
Si aleat dhe mik i pashmangshëm, na duhet ndihma e SHBA-së për t’u bërë pjesë e Programit Partneriteti për Paqe të NATO-s, derisa të bëhemi anëtar i plotë i NATO-s, tha kryeministri Kurti, ndërsa theksoi edhe rritjen e buxhetit për mbrojtje për 52 për qind.
Ai potencoi indikatorët pozitivë ekonomikë, rritjen ekonomike impresive dyshifrore, si dhe punën drejt themelimit të Gjykatës Komerciale në Kosovë.
Ndërkaq, ai diskutoi edhe për tranzicionin energjetik dhe zhvillimet e kapaciteteve të reja energjetike në Kosovë.
Në këtë kuptim, ai përmendi potencialin diellor dhe të erës në Kosovë.
Për më tepër, kryeministri i Kosovës ka theksuar parkun e erës “Selac Windpark” me kapacitet prej 105 MW dhe 27 turbina, si dhe projektin “Solar4Kosovo” me kapacitet prej 70 MW, që njëherësh do të jetë një nga projektet më të mëdha diellore në Evropë, me sipërfaqe prej 69 mijë metra katrorë.
Ai përmendi edhe negociatat me MCC-në për projektin Kompakt, që do të jetë projekti më i madh energjetik në Kosovë që nga çlirimi, me shumën 236 milionë dollarë, dhe që parasheh ndërtimin e sistemeve akumuluese të energjisë.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë dhe Kryeministri Kurti inaugurojnë projektin më të madh të energjisë së ripërtëritshme në Kosovë

Kurti për parkun e erës në Selac: Investimi më i madh që nga pavarësia e Kosovës
