Search

Kriza energjetike, priten reduktime shkaku i rritjes së çmimeve

07 Dhjetor, 2022


Mesa duket një krizë e radhës po e pret vendin. Bëhet fjalë për krizën energjetike e cila ishte paralajmëruar gjatë krejt vitit.

“Borë mundet me ra, ama ditë bash të bardha nuk po na presin” kështu të paktën janë fjalët e zëdhënësit të KEDS-it, Viktor Buzhala, i cili ndër të tjera ka treguar që çmimet e rrymës janë dyfishuar në brezat ndërkombëtar e poashtu që ka devijim nga plani i prodhimit vendor pra sipas Buzhalës janë rreth 160 megavat në orë minus.

Por, kur televizioni u interesua më shumë për këto deklarata, i njëjti vendosi që në vend të përgjigjes të jap leksione mbi gazetarinë, duke mos sqaruar se as për çfarë raportimi bëhet fjalë.

“E nderuar, për shkak të sjelljeve të mediumit tuaj në mënyrë aspak profesionale në raportimet ndaj KEDS, ne kemi vendosur që ti ngrijmë marëdhëniet deri në momentin kur të sigurohemi që qasja do të jetë profesionale, pra objektive dhe e paanshme”, ka thënë Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS-it.

Asnjë reagim zyrtar nuk ka pasur nga KEDS për ndonjë raportim të televizionit Dukagjini.

E për shkak të problemeve që i njëjti i ka adresuar, njohësit e energjisë thonë se mund të ketë reduktime dhe probleme gjatë dimrit.

“Me rritjen e çmimeve të rrymës në breza ndërkombëtar për import të energjisë këto hynë në të hyrat maksimale të lejuara për akterët e energjisë në Kosovë, rrjedhimisht këto paguhen nga vet kompanitë distributive e furnizuese mirpo me rritjen e cmimit të energjisë pësojnë konsumatorët”, ka thënë Adhurim Haxhimusa, ekspert i sektorit të energjisë.

Nga INDEP poashtu thonë se krizë do të shkaktoj edhe mosriparimi i blloqeve nga ana e KEK-ut ashtu siç ishte paralajmëruar.

“Mosaplikimi i atyre parashikimeve të bëra nga ana e KEK-ut domosdoshmërisht i dëmton qytetarët sepse një bllok sa do i vogël prej 120 ose 150 megavat kontribon në mbrojtjen e ekonomisë së Kosovës”, ka thënë Liron Gjocaj nga INDEP.

Përqindjen më të madhe të importit të energjisë elektrike, Kosova e bën nga Hungaria, aty ku çmimi i rrymës ka kaluar mbi 400 euro për megavat.

Televizioni ka kërkuar përgjigje edhe nga ZRRE, Ministria e Ekonomisë dhe KEK-u për menaxhimin e krizës por asnjëri nga këto institucione nuk është përgjigjur.