Search

Kosova me task-forcë për sektorin e energjisë

12 Tetor, 2021


Ministrja e Ekonomisë e Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se ministria që ajo drejton ka vendosur të krijojë një task-forcë të re për sektorin e energjisë, raporton kosovo.energy.

Task-forca do të përbëhet nga përfaqësues të ndërmarrjeve kryesore të sektorit të energjisë, institucioneve dhe organeve të pavarura si Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë.

Rizvanolli i bëri këto komente gjatë debatit me temë: “Si mund ta nxisim rritjen ekonomike duke mbrojtur mjedisin”.

Ky debat është i treti nga seria e debateve që do të organizohet në kuadër të projektit, të mbështetur nga Qeveria Gjermane përmes zyrës së GIZ në Kosovë, dhe ka për qëllim ngritjen e vetdijës qytetare por edhe të institucioneve relevante mbi rëndësinë e zbatimit të kornizës ligjore, mjedisore dhe qasje në drejtësi.

Rizvanolli: Task-forca do të ketë rol informativ dhe këshill dhënës

Ministrja e ekonomisë po adresonte krizën e energjisë dhe rritjen e çmimeve të energjisë e cila ka prekur rëndë çdo vend që operon me çmime të tregut të lirë në Evropë dhe më gjerë.

Sipas normës që ka krijuar kjo ministri gjatë këtij mandati të kësaj qeverie, Rizvanolli njoftoi se është në diskutime dhe takime të vazhdueshme me përfaqësuesit e akterëve kryesorë të tregut të energjisë të Kosovës për krizën e energjisë dhe çështje të tjera të lidhura me energjinë në vend, raporton kosovo.energy.

“Që prej verës kur ka filluar kjo krizë ne kemi përcjellur situatën dhe kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me akterët e tjerë. Komunikim të cilin e kemi intensifikuar ditët dhe javët e fundit për shkak të përkeqësimit të mëtejmë në Evropë, nuk është që është diçka që ka prekur vetëm Evropën, çmimet e energjisë, çmimet e gazit janë duke u rritur gjithandej, posacërisht kanë preku Evropën dhe Azinë”, tha ajo.

“Për këtë çështje jo më larg se sot kisha një takim me udhëheqësit e të gjithë akterëve relevant, duke përfshirë Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, KOSTT-in, KEDS-in, KESCO-n, dhe ku jam informuar direkt prej tyre për gjendjen për secilin prej këtyre ndërmarrjeve ose institucioneve”, bëri të ditur ministrja Rizvanolli.

Në këtë mënyrë, gjatë diskutimit, Rizvanoll njoftoi se Ministria e Ekonomisë ka vendosur të krijojë një task-forcë me përfaqësues të të gjitha ndërmarrjeve dhe institucioneve përkatëse të energjisë.

“Ne si Ministri e Ekonomisë kemi vendosur të themelojmë një task-forcë e cila do të ketë një rol në njërën anë informativ dhe në anën tjetër këshill dhënës, të përbërë nga të gjitha këto institucione dhe ndërmarrje që i përmenda më lartë, por edhe KEK-un dhe institucione të tjera relevante”, tha ajo.

“Ideja është që kjo task-forcë të takohet në baza të rregullta javore në nivel teknik dhe sipas nevojës pastaj edhe në nivel më të lartë politik dhe të udhëheqësve të këtyre institucioneve dhe ndërmarrjeve”, bëri të ditur Rizvanolli.

“Në rradhë të parë roli i task-forcës do të jetë që të informoj ministrin dhe Zyrën e Rregullatorit të Energjisë për masat që duhen marrë nëse vjen deri tek ajo”, tha Rizvanolli.

Ndërkaq, ajo gjithashtu theksoi se aktualisht nuk ka nevojë për panik në lidhje me krizën e energjisë që ka pllakosur Evropën dhe më gjerë.

Megjithatë, ajo këshilloi qytetarët të jenë më të kujdesshëm dhe të vetëdijshëm në lidhje me konsumin e tyre të energjisë, dhe nëse është e mundur të mos përdorin energji elektrike për ngrohje.

“Momentalisht nuk kemi nevoj për shqetësim, nuk kemi nevoj për panikë, mirëpo si gjithmonë si çdo vit, edhe këtë vit por posacërisht këtë vit, duke qenë se kemi të bëjmë me këtë krizë, këshillohen qytetarët që të kursejnë energjinë elektrike sa më shumë dhe mundësisht të mos ngrohen me energji elektrike”, theksoi ministrja Rizvanolli.