Search

Kopac: Drafti i planit kombëtar të Kosovës për energji dhe klimë në fund të këtij muaji, hapja e tregut rritë çmimin e rrymës për amvisëritë

02 Qershor, 2021


Drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Janez Kopac, ka prezantuar raportin “Rruga e Kosovës drejt integrimit evropian të energjisë: Gjendja e zbatimit të Traktatit të Komunitetit të Energjisë” para deputetëve të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.

Prezantimi kishte për qëllim vlerësimin e implementimit të direktivave dhe “Acquis”, të përcaktuara për Kosovën nga Sekretariat i Komunitetit të Energjisë.

Kopac kërkon zëvendësimin e më të shpejtë të tarifave nxitëse me ankande të hapura për BRE-të

Gjatë prezantimit të tij, Kopac tha se në vitin 2019, Kosova ka arritur të plotësojë objektivat për burime të ripërtëritshme të energjisë, me 25% energji të ripërtëritshme në konsumin bruto përfundimtar të energjisë elektrike.

Mirëpo, ai rikujtoi se Komisioni për Ndihmë Shtetërore i Kosovës kishte vlerësuar se tarifat nxitëse për mbështetje të sistemve solare me kapacitet të instaluar prej 20 megavatësh ishin të paligjshme.

“Në vitin 2019 Kosova arriti objektivin e saj të BRE-së të vitit 2020 prej 25% të ripërtëritshme në konsumin përfundimtar bruto – për shkak të rishikimit të mëparshëm të të dhënave të konsumit të biomasës. Në dhjetor 2020, Komisioni i Ndihmës Shtetërore të Kosovës zbuloi se tarifa nxitëse për mbështetjen e sistemeve diellore fotovoltaike me kapacitet të instaluar prej 20 megavatësh ishte e paligjshme dhe jo në përputhje me Udhëzimin e BE-së për Ndihmën Shtetërore për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Energjisë 2014-2020.

Ai gjithashtu kërkoi përshpejtimin e zëvendësimit të tarifave nxitëse me ankande të hapura për BRE-të.

“Kosova filloi reformën – duke u larguar nga tarifat nxitëse në skemë të mbështetjes të bazuar në treg. Ky proces duhet të përshpejtohet”, ka nënvizuar Kopac në prezantimin e tij.

Komuniteti i Energjisë: Masave të efiçiencës së energjisë në Kosovë u mungon implementimi praktik

Kopac nënvizoi se ligjet e vitit 2018 për efiçiencën e energjisë dhe performancën energjetike të ndërtesave janë në përputhje me direktivat e BE-së.

Ndërsa po e vlerësonte si pozitive themelimin e Fondit dhe Agjencisë për Efiçiencë të Energjisë në Kosovë, ai tha se prioritetet kyçe në këtë fushë janë miratimi i rregulloreve dhe zbatimi i masave.

Ai kritikoi Kosovën që ende nuk po arrinë të zbatojë rregulloret që parashohin etiketimin e produkteve efiçiente të energjisë.

“Kosova ende nuk arrin të miratojë / zbatojë rregulloret e fundit të deleguara për etiketimin e produkteve me efiçiencë të energjisë, të miratuara nga Këshilli Ministror në nëntor 2018”, tha Kopac.

Kopac: Emetimi i CO2 për kokë banori në Kosovë më i larti në rajon, drafti i parë i planit kombëtar për energji dhe klimë do të përfundojë këtë muaj

Ndërkaq sa i përket ndotjes nga thëngjilli, drejtori i Sekretariatit nënvizoi që Kosova ka përqindjen më të lartë të prodhimit të energjisë me thëngjill në gjithë rajonin, e që në vitin 2019 ka qenë 90%.

Po ashtu edhe emetimi i dioksidit të karbonit për kokë banori është më i larti në rajon.

“Ky do të jetë një problem, sepse e gjithë Evropa dhe e gjithë bota po kërkon dekarbonizim në 2050 ose edhe më pare”, tha ai.

Në fushën e direktivave për Klimë, duke kosnideruar që shumë vende në rajon ende nuk e kanë përgatitur draftin e tyre për planin kombëtar për energji dhe klimë (NECP), Kopac theksoi se vetëm Maqedonia e Veriut mund të dallohet në këtë drejtim.

Mirëpo, ai nënvizoi në prezantimin e tij që Plani Kombëtar për Energji dhe Klimë në Kosovë është aktualisht duke u hartuar me mbështetje të GIZ, dhe se drafti i parë i planit pritet të përfundojë këtë muaj, Qershor 2021.

“NECP e Kosovës aktualisht është duke u hartuar me mbështetjen e GIZ dhe drafti i parë i punës që do të finalizohet në Qershor 2021. Sekretariati është i gatshëm të jap komente jozyrtare në draftin e parë të punës”, tha Kopac.

Kopac: Të hyrat nga taksat për emetimet të dioksidit të karbonit do të jenë në dispozcion të Kosovës, taksa e karbonit do të dyfishojë çmimin për konsumatorët fundorë

Kopac tha se nuk ka të ardhme për termocentralet me qymyr, ndërsa sqaroi edhe ndikimet e taksës së karbonit tek të gjitha palët kontraktuese të Komunitetit të Energjisë.

Sipas Kopac, nëse merret për bazë çmimi aktual i BE-së për karboni prej rreth 50 euro për një megavat rrymë të prodhuar, atëherë në Kosovë i bie që çmimi i energjisë elektrike që paguhet nga konsumatorët fundorë do të dyfishohet.

“Momentalisht në Bashkimin Evropian është 50 euro për ton, 50 euro për megavat, tani nëse e imagjonini që KEK-u është duke prodhuar energjinë elektrike në impinatet ekzistuese Kosova A dhe Kosova B për përafërsisht për 34-45 euro për megavat orë dhe nëse shtoni 50 euro mbi këtë shumë, i bie që çmimi për energji elektrike të dyfshihohet menjëherë”, tha ai.

Ai tha se çmimet e karbonit nuk do të fillojnë së aplikari brenda natës, por se të gjitha palët kontraktuese të Komunitetit të Energjisë duhet të vazhdojnë me sjelljen e tyre, sa më parë që është e mundur.

“Nëse paraqitni një çmim për emetimet të dioksidit të karbonit, këto të hyra do të ishin në dispozcion të Kosovës si buxhet i Kosovës, prandaj është shumë e rëndësishme që të fillojmë të mëndojmë për vendosjen e çmimit për dioksidin e karbonit”, tha ai.

Kopac: Në mungesë të mekanizmit të taksës kombëtare të karbonit, vendet do të jenë subjekt i taksës ndërkufitare të karbonit

Kopac poashtu përmendi edhe Mekanizmin për Rregullim Ndërkufitar, apo ndryshe mekanizimin e taksës ndërkufitare të karbonit, e cila mund të ndryshojë kushtet e të bërit biznes për të gjitha kompanitë që eksportojnë mallëra në Bashkimin Evropian nga vendet që nuk kanë sistem kombëtar të tregtimit të emetimeve, sikurse Kosova.

Kopac sqaroi se Sekretariati i Komunitetit të Energjisë është duke biseduar me Bashkimin Evropian për të mundësuar një status special tranzitor për palët kontraktuese, pasiqë këto të fundit janë importuese të energjisë nga vende jo anëtare të Bashkimit Evropian si Rusia, Maroko dhe Turqia.

“Ne në Sekretariat jemi duke biseduar dhe duke u përpjekur që të bindim BE-në në përgjithësi për të pasur një status special tranzitor për palët tona kontraktuese pasiqë ne do të jemi importues të energjisë nga Rusia, Maroko, Turqia, përmes tërritorit të Bullgarisë dhe Greqisë, por ka edhe eksport nga Bosna dhe Hercegovina, Serbia, dhe Maqedonia e Veriut në vende anëtare të BE-së dhe nga Mali i Zi gjithashtu”, sqaroi ai.

Kopac: Hapja e tregut do të rritë çmimin e rrymës për amvisëritë

Sipas Kopac, hapja e tregut të energjisë elektrike, proces ky në të cilin tani po kalon Kosova, do të ndikojë në rritjen e çmimit të energjisë elektrike për amvisëritë, ndërsa theksoi se konsumatorët që bëjnë pjesë në grupin e të cënuarëve duhet të jenë prioritet i politikave gjatë këtij tranzicioni.

“Nuk është e lehtë. Nëse e hapni tregun zakonisht ka disa rritje të cmimit për amvisëritë dhe është e rëndësishme për politikanët që të kenë mekanizma dhe buxhet për konsumatorët që janë në grupin e të cënuara”, tha ai.

Por, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni, deklaroi se edhe ashtu siç është, çmimi i energjisë elektrike është i lartë.

“Edhe me këto çmime, amvisëria është e ngarkuar dhe mendoj se çmimi është i lartë. Energjia elektrike është 90% nga thëngjilli, unë mendoj që çdo propozim për të rritur çmimin për këtë sektor do të ishte shumë e ndjeshme për të gjithë popullatën tonë. Dua vetëm të shoh përceptimin tuaj nëse a është më mrië të shkojmë me këtë nivel të çmimit e jo të rrisim çmimet pasi që duhet të marrim parasysh edhe të hyrat e qytetarëve tanë”, ka thënë Hyseni.

Rekomandimet e Komunitetit të Energjisë për Kosovë, përmendet edhe tregu i përbashkët me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut

Kopac paraqiti rekomandimet për masat urgjente në politikat për energji, të cilat janë si më poshtë.

Në këto rekomandime Kopac ka përfshirë edhe një treg të përbashkët me vende të tjera rajonale si Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, vlerësimi i fizibilitetit për zhvillimin e kapaciteteve pompuese dhe ruajtje të energjisë në Drinin e Bardhe dhe degët e tij, si dhe përfundimin e planit kombëtar për energji dhe klimë në tremujorin e tretë të vitit 2021.

Përmirësimi i efiçensës së energjisë

  • Ulja e humbjeve në distribucionin e energjisë elektrike në nën 13% deri në 2025.
  • Dizajnimi i qeverisjes së ndërtesave me shumë apartamente (përcaktimi i të drejtave dhe detyrimeve të shoqatës së pronarëve, marrja e vendimeve me shumicë të thjeshtë, fondet rezervë si kolateral, alokimi i kostos midis pronarëve dhe qiramarrësve për masat e rinovimit, promovimi i komuniteteve të energjisë midis pronarëve të tokave dhe qiramarrësve për Cati solare).

Përdorimi i ngrohtorëve për të lehtësuar presionin e sistemit të energjisë elektrike

  • Identifikimi i komunave me infrastrukturë potenciale të ngrohjes qendrore, përfshirë zgjerimin e atyre ekzistuese (Prishtinë)
  • Identifikoni burimet e karburantit me karbon të ulët ose zero dhe zinxhirët e furnizimit të qëndrueshëm (biomasa, mbledhja e mbeturinave etj.)
  • Mbështetni ngrohjen diellore në shtëpi individuale.

Të rritet pjesa e energjisë së ripërtërishme në energji elektrike

  • Të nisë ankandet në shkallë të gjerë për mbështetjen të enegjisë solare(nxitje premium) në tokën publike (subjekt i ankandeve të ndara bazuar në modelin e Maqedonisë së Veriut) me një kufij të çmimit.
  • Hapja e pilot ankandet për mbështetjen e energjisë nga era (nxitje premium) në tokë private (jo specifike për vendet)
  • Braktisni mbështetjen për hidrocentrale të vogla
  • Futja e matjes / faturimit neto për panele fotovoltaike solare në shkallë të vogël dhe derregullimi i procedurës administrative.

Prezantoni çmim të moderuar të karbonit

  • Futja e taksës për energjinë elektrike të prodhuar nga qymyri, në një hap të parë për të arritur neutralitetin e tarifave duke subvencionuar tarifat aktuale të furnizimit
  • Hartimi i projeksioneve të rritjes graduale, përdorimi i të ardhurave për të paguar konsumatorët e ndjeshëm
  • Krijimi i bazës ligjore dhe institucionale për monitorimin, raportimin dhe verifikimet e emetimeve të karbonit

Përmirësimi i situatës mjedisore

  • Moratoriumi për ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël
  • Programi i pyllëzimit të qëndrueshëm në mbarë Kosovën
  • Përmirësimi i cilësisë së ajrit në nivelin lokal.

Reforma urgjente në tregun e energjisë elektrike dhe integrimin në treg

  • Rishikoni kontratat ekskluzive me shumicë
  • Vazhdoni me hapjen e tregut me pakicë
  • Bashkimi i tregut me Shqipërinë në TM 3 të vitit 2021, dhe vendet e tjera fqinje Mali i Zi dhe Maceodnia Veriore si të llojit të dytë

Përshtatni miksin ekzistuese të karburanteve të gjenerimit të energjisë elektrike

  • Plani për dekomisionimin e ‘Kosova A’
  • Përdorimi i fondeve të disponueshme ndërkombëtare për të rehabilituar menjëherë ‘Kosovën B’
  • Përcaktimi i kërkesës së brendshme për gaz (kapaciteti i gjenerimit të energjisë elektrike) dhe përshtatja e planeve të infrastrukturës (tubacionet e ndërlidhjes vs LNG të ngarkuar me kamion, rishikimi i nevojshëm për rrjetet e shpërndarjes së gazit)
  • Promovimi i burimeve të ripërtërishme në kombinim me bateritë dhe kogjenerimin

Fleksibiliteti

  • Ndjekje e mbështetjes së disponueshme për bateri të shkallës së gjerë për ruajtje të energjisë
  • Vlerësimi i fizibilitetit për zhvillimin e kapaciteteve pompuese dhe ruajtje të energjisë në Drinin e Bardhe dhe degët e tij

Tranzicioni i Drejtë

  • Krijimi i fondit për tranzicion të drejtë që potencialisht të kryesohet nga organizatat ndërkombëtare
  • Adresimin e varfërisë energjetike duke marrë parasysh gjetjet e Studimit që po vazhdon nga Komuniteti i Energjisë

Miratimi i synimeve dhe planifikimit

  • Miratimi i kuotave për ankandet e energjisë së ripërtërishme
  • Transmetimi i të gjithë punës së planifikimit në Planin Kombëtar të Energjisë dhe Klimës dhe finalizimi i draftit në TM 3 2021.
  • Hartimi dhe miratimi i Ligjit për Klimën me përgjegjësi të qarta dhe detyruese për dekarbonizimin në përputhje me Deklaratën e Sofjes