Konsensus nga analistët: Liberalizimi i tregut është i mirëpritur nëse sektori do të ishte më i pregatitur
June 03, 2025

Afaristi Burim Piraj, gjatë protestës javën e kaluar, ka theksuar se është përkrahës i plotë i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, por ka shprehur shqetësimin se mënyra aktuale e zbatimit të këtij procesi nuk përmbush qëllimin e vërtetë të liberalizimit.
Në një prononcim për Telegrafin, Piraj ka theksuar se qëllimi i ligjit për liberalizim ka qenë që t’u mundësohet bizneseve të blejnë energji më lirë, duke stimuluar konkurrencën dhe uljen e çmimeve.
“Ne jemi pro liberalizimit të tregut të lirë të energjisë elektrike për arsye se kur është krijuar ligji, kur është miratuar ligji, qëllimi ka qenë që bizneset të kenë mundësi të blejnë energji ma lirë. Edhe qëllimi është i blerjes së energjisë më lirë. Atëherë jemi pro liberalizimit të tregut, mirëpo liberalizimi aktual nuk mund të quhet liberalizim kur kemi vetëm një ofertues për furnizim me energji elektrike. Edhe ofertuesi i ka çmimet enorme. E ka një kontratë me KEK-un, KEK-ut që ia blen 25.5€ MW e energjisë elektrike, nga ana tjetër e ofertën në treg me një çmim gati dhjetëfish më të lartë se sa që e blenë”, ka thënë Piraj.
Ndryshe, të premten për dy orë të gjitha hyrje-daljet e kryeqytetit u bllokuan duke kundërshtuar mënyrën se si bizneset të kalojnë në tregun e lirë të energjisë elektrike, pa u përgatitur.
Protesta u zhvillua në mënyrë të qetë dhe pa incidente, nën mbikëqyrjen e Policisë së Kosovës, e cila kishte lëshuar më herët leje për protestën dhe kishte bërë thirrje për shmangie të rrugëve të bllokuara.
Adhurim Haxhimusa, ekspert në fushën e energjisë, poashtu ka folur lidhur me daljen në treg të hapur të energjisë të bizneseve të Kosovës.
Ai ka thënë se Kosova nuk është duke dalur në treg të hapur, por vetëm një segment i konsumit të Kosovës.
Haxhimusa ka thënë se vendimi ishte marrë qysh në vitin 2018, por për tetë vite nuk kishte ndodhur asnjë lëvizje, asnjë bisedë, asnjë koordinim e as ndonjë iniciativë e cila do të përgatiste tregun.
“…t’i përgatis aktorët të cilët preken nga ky hap, t’i përgatis ato për sfidat që i vijnë me këtë dhe në të njëjtën kohë edhe me mundësitë, për shkak që çdo sfidë duhet të shihet edhe si mundësi, si për biznesin ashtu edhe për institucionet”, ka thënë ai, për RTV Dukagjini.
Ai ka thënë tutje se liberalizimi i tregut apo tregu i hapur është forma më e mirë e mundshme se si mund të arrihet efiçienca maksimale e një tregu.
Mirëpo, ai ka thënë se liberalizimi në këtë formë se si është duke ndodhur, është jo adekuat.
“Po supozoj se prej 1 qershor 2026 do të vendosen këto kompani në tregun e lirë, atëherë brenda një viti… një numër i madh i bizneseve do të fillonin të ndërtonin kapacitetet njerëzore, ashtu që të jenë të gatshme të blejnë energjinë elektrike, të sigurojnë kontrata më afatgjata, të sigurojnë edhe çmime më stabile të cilat kompanitë vendore për momentin nuk po kanë mundësi t’i ofrojnë”, ka thënë ai.
Tutje Haxhimusa ka thënë se Kosova nuk ka përgatitur të gjitha kornizat ligjore, por as aktorët për me bë një kalim të tillë në treg të hapur energjetik.
/Telegrafi