Search

Kompania nga veriu i Kosovës aplikon për licencë në ZRRE

04 Janar, 2021


Shtatë vjet pas Marrëveshjes së Brukselit për energji mes Kosovës dhe Serbisë, kompania nga veriu i Kosovës, “Drustvo Elektrosever”, ka aplikuar për licencë të operimit në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë, ka raportuar Kohavision.

Aplikimi është bërë para disa ditësh, pasi Kosova është pavarësuar nga Serbia si Zonë Rregulluese e Transmisionit. Kjo nuk ia mundëson më Serbisë që t’i shfrytëzojë asetet interkonektive të Kosovës.

Nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë kanë konfirmuar aplikimin e kompanisë.
Ky institucion ka bërë të ditur se tashmë ka krijuar një komision për shqyrtim të aplikacionit, i cili do ta bëjë vlerësimin në bazë të ligjeve dhe rregullave në fuqi për rregullimin e këtij aktiviteti.

“Komisioni, pas analizimit të aplikacionit, do ta përcjellë te Bordi vlerësimin për marrjen e vendimit përfundimtar. Në Rregullën për licencimin e aktiviteteve të energjisë definohen afatet dhe procedurat për lëshimin e një licence për kryerjen e aktiviteteve të energjisë, afati për shqyrtimin e një aplikacioni mund të zgjasë deri në 60 ditë prej datës kur aplikacioni konsiderohet i kompletuar”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.

Megjithatë, ky proces mund të bllokohet shkaku që Bordi i ZRRE-së është jofunksional.

“Bazuar në rregullën e lartpërmendur, pas shqyrtimit të aplikacionit, vendimi përfundimtar nevojitet të merret nga Bordi i Rregullatorit. Prandaj, duke qenë se Bordi i Rregullatorit aktualisht nuk është funksional, vendimi përfundimtar nuk mund të merret as për lëshimin e kësaj licence, siç nuk mund të merren as edhe vendime të tjera që kërkohen me legjislacionin përkatës”, thuhet në përgjigje.

Kompania “Drustovo Elektrosever” është regjistruar në Agjencinë Kosovare të Bizneseve në nëntor të 2018-s.

Sipas Marrëveshjes për energji të Brukselit, të dyja palët ishin dakorduar që të themelohet një kompani e tillë sipas kornizës ligjore dhe rregullatore kosovare.

Në marrëveshje thuhet se kjo kompani e re do të furnizojë me energji elektrike dhe mund të ofrojë shërbime të shpërndarjes (të tilla si, faturimi, inkasimi, mirëmbajtja dhe lidhja fizike e konsumatorëve të rinj) për konsumatorët në katër komunat veriore me shumicë serbe dhe do të jetë në gjendje të blejë dhe të shesë energji në tregun e hapur.

Por, Serbia deri më tani i ka rezistuar planit të zbatimit të Marrëveshjes për energji edhe për shkak të pretendimeve në trafostacionin e Vallaçit e Gazivodën, si dhe kërkesës për një distributor të vetin në veri të Kosovës. Zyrtarë të qeverisë serbe kanë thënë në vazhdimësi se po presin themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe për t’i futur ato nën kontroll.

Por, sipas Marrëveshjes për energjinë, është KOSTT-i ai që vendos nën kontroll nënstacionin e Vallaçit në pjesën veriore, praktikisht dhe në tërë sistemin e transmisionit.

Ndërkaq, ndërhyrja ilegale e operatorëve serbë në pjesën veriore, sipas Marrëveshjes, duhet të pushojë duke përfshirë kontrollin dispeçerik të hidrocentralit Ujmani dhe importin në linjën 110-kilovoltëshe (kV) nga Novi-Pazari.

KOSTT-i do të mund të arkëtonte të hyra nga energjia e transituar për vende të treta, meqë me firmosjen e marrëveshjes ky institucion bëhet pjesë e mekanizmit për kooperim ndërmjet operatorëve në nivel evropian. Duke iu referuar të dhënave energjetike nga e kaluara, këto të hyra mund të arrijnë 1 milion e 500 mijë deri në 2 milionë.

Arsyeja e bllokimit të Marrëveshjes së Brukselit ka qenë hezitimi i kompanisë serbe për regjistrim, si dhe mospërmbushja e kritereve ligjore, pasi që kjo kompani kishte përdorur termin “Kosova Metohije” në statusin e kompanisë.

KOHA kishte raportuar se shtyrja e zbatimit të kësaj marrëveshjeje është edhe shkaku që Serbia fiton të hyra nga shfrytëzimi i aseteve interkonektive të Kosovës. Të gjitha të hyrat prej alokimit të kapaciteteve i ka marrë pala serbe. Në bazë të disa kalkulimeve, nga viti 2008 deri më 2019 Serbia ka përfituar afro 65 milionë euro në mënyrë të paligjshme.

Furnizimi me energji në pjesën veriore është problem politik i pazgjidhur që nga paslufta. Në pamundësi që furnizuesit të operojnë në atë pjesë të Kosovës, ZRRE-ja me një vendim të 2013-s e ka llogaritur furnizimin e asaj pjese si humbje dhe ka thënë se humbje vjetore kanë qenë afro 8 milionë euro, të cilat u janë faturuar qytetarëve.

Por, pas padisë së Avokatit të Popullit kundër këtij vendimi, Gjykata Themelore ka pezulluar vendimin e ZRRE-së. Ndërkohë, lënda është në procedurë gjyqësore. Gazeta ka kërkuar nga Gjykata që të dijë se në çfarë faze është kjo lëndë, por nuk ka marrë përgjigje gjatë së hënës.

Ndërkohë, nga 2 dhjetori 2017, KOSTT-i nuk ka bërë blerjen e energjisë për mbulimin e humbjeve për furnizimin e veriut të Kosovës.

Për mbulimin e këtij konsumi energjia elektrike është tërhequr në mënyrë të paautorizuar nga Sistemi Elektroenergjetik i Evropës Kontinentale. Sipas të dhënave të KOSTT-it, nga sistemi interkonektiv evropian janë tërhequr energji në vlerë monetare rreth 37 milionë euro.

Ky borxh është bërë për periudhën 2 dhjetor 2017 deri më tani.

Në KOSTT kanë thënë se të dyja çështjet, si për tërheqjen e paautorizuar për veriun, edhe për shfrytëzimin e jashtëligjshëm nga pala serbe e rrjetit interkonektiv të Kosovës, që ndërlidhen me dëmet financiare të shkaktuara nga pala serbe nga KOSTT-i, do të trajtohen me ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar dhe me përkrahje institucionale.