KESCO nis kampanjën: Si të kurseni rrymën në ambiente pune?
September 06, 2022

Ndërsa i gjithë kontinenti po përjeton një ndër krizat më të mëdha të energjisë elektrike nën presion të mungesës së burimeve të rrymës dhe çmimeve të larta të këtij produkti në tregje, nga të gjithë konsumatorët e energjisë elektrike, në gjithë botën, po kërkohet kursimi dhe shfrytëzimi racional i rrymës.
Thirrjeve për kursim të rrymës në Kosovë i është bashkuar edhe operatori i furnizmit me energji elektrike, KESCO.
“Domosdoshmëria e përdorimit të energjisë elektrike në jetën tonë të përditshme, duhet të na bëjë më të vetëdijshëm që ne ta kursejmë atë në çdo formë të mundshme”, thuhet në postimin e KESCO në rrjete sociale.
KESCO ka thënë se ka shumë mënyra të lehta për të kursyer rrymën.
Ata kanë publikuar një numër këshillash për kursimin e energjisë elektrike në ambiente pune, të cilat mund t’i lexoni në vijim:
- Fikni dritat kur nuk janë të nevojshme;
- Përdorni ndriçimin natyral;
- Instaloni sensorë automatikë që funksionojnë me detektim të lëvizjes;
- Zëvendësoni dritat e zakonshme me dritat LED;
- Inkurajoni stafin të mbajë dritaret dhe dyert të mbyllura kur ngrohja ose klimatizimi janë ndezur;
- Nëse zyra ka ashensor, përdorni shkallët;
- Pajisjet e vjetëruara priren të jenë më pak efiçiente. Zëvendësoni ato me modele më të reja, që janë më efiçiente;
- Largoni kabllot e pajisjeve elektrike nga priza kur është e mundur, në mënyrë që të mos e shkarkojnë energjinë elektrike kur nuk janë në përdorim;
- Mos i lini paisjet në ”sleep mode” or standby për periudha të gjata ose gjatë natës;
- Në përfundim të orarit të punës ndërprejeni energjinë elektrike në mënyrë automatike në të gjitha pjesët e objektit ku është programuar. Kjo mund të bëhet edhe përmes pajisjeve të mençura.