Kërkohet reagim nga partitë dhe institucionet e larta ndaj ndryshimeve aktuale në sistemin elektroenergjetik
May 28, 2025

Njohësi i politikave ekonomike, Shenoll Muharremi ka reaguar ndaj rritjes së çmimit të energjisë elektrike në vend, duke e cilësuar atë si një barrë të rëndë për bizneset dhe ekonominë në përgjithësi.
Muharremi përmes një postimi në rrjetin social në Facebook u ka bërë thirrje liderëve politikë, institucioneve dhe mediave që të mos qëndrojnë të heshtur përballë kësaj çështjeje me rëndësi jetike për qytetarët dhe të ardhmen ekonomike të vendit.
“Disa media dhe lider e figura të larta të partive dhe institucioneve nuk duhet me hesht para këtij dyshimi të bazuar. Mos mendoni që nuk po vërehet ky ‘abstenim’. Me qito argumente po na rritet çmimi i rrymës dhe goditen bizneset, ekonomia dhe e ardhmja”, ka shkruar Muharremi.
Ai po ashtu ka thënë: “Çmime çmendurisht abnormale të dyshimta dhe jashtëzakonisht të larta. Ky rast duhet të hetohet dhe trajtohet me seriozitet më të lartë dhe me përgjegjësi institucionale maksimale. Nuk duhet me hesht para këtij rasti. Nevojitet hetim i plotë dhe transparent. Këto janë kostot e bartjes së energjisë me 24 dhjetor 2024 nga ora 10:00h deri 18:00h kur çmimet për kapacitetin e transmetimit arrijnë rritje abnormale dhe të pashpjeguara e spekulative, tepër shumë të dyshimta, nga 2€ në 798€/MWh. Pse nuk ka pasur ndërhyrje të rregullatorit publik, ZRRE, kur këto raste janë përsëritur disa herë gjatë vitit?”.
/Telegrafi