KEK vazhdon tutje me projektin për Rehabilitimin dhe Modernizimin e njësisë A3
July 16, 2025

Korporata Energjetike e Kosovës, KEK, ka njoftuar se projekti kapital për “Rehabilitimin dhe Modernizimin e Njësisë A3” në Termocentralin Kosova A do të vazhdojë, pasi Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka hedhur poshtë ankesën e një operatori ekonomik.
“Projekti, i cili ishte pezulluar përkohësisht për shkak të një ankese të paraqitur nga një Operator Ekonomik në OSHP, ka marrë tashmë dritën e gjelbër për të vijuar”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Pezullohet tenderi 137 milionësh i KEK-ut një ditë para afatit përfundimtar për dorzimin e ofertave
OSHP ka vendosur më 10 korrik që ankesa ishte “e palejuar” dhe ka ripohuar ligjshmërinë dhe korrektësinë e plotë të veprimeve të ndërmarra nga KEK.
KEK rithekson se është i përkushtuar që ky projekt strategjik për sektorin energjetik të realizohet me “transparencë të plotë, integritet dhe profesionalizëm”, duke u bazuar në standardet më të larta të prokurimit publik dhe me dokumentacion të përgatitur në bashkëpunim me ekspertët vendorë dhe konsulencën e USAID.
Për të garantuar transparencë, KEK ka paralajmëruar se më 17 korrik 2025, në orën 13:00, në sallën e takimeve në TC Kosova B, do të bëhet hapja zyrtare e aplikimeve të operatorëve ekonomikë përmes platformës e-prokurimit, proces ky që do të transmetohet drejtpërdrejt në rrjetin social zyrtar të KEK Sh.A.
“Korporata mbetet e vendosur që këtë projekt jetik ta çojë deri në fund, duke garantuar konkurrencë të ndershme, transparencë të mirëfilltë, zbatim të ligjit dhe përkushtim maksimal për të ardhmen energjetike të vendit”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
/Telegrafi